Ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski dhe profesorët Borçe Trenovski dhe Marjan Petreski janë propozimet e Qeverisë për anëtarët e rinj joekzekutivë të Këshillit të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut. Ata do të kenë një mandat prej shtatë vjetësh në këtë organ, ndërsa propozimi u kumtua ditë më parë nga ana e Qeverisë. Tre anëtarët e rinj do t’i bashkangjiten Këshillit aktuale me në krye guvernatoren Anita Angelovska-Bezhoska, zëvendës-guvernatorëve Fadil Bajrami, Emilija Nacevska dhe Ana Mitrevska, si dhe dy anëtarëve Sinisha Naumovski dhe Gadaf Rexhepi, shkruan gazeta KOHA.
Megjithatë, me tre anëtarët e rinj – që të tre maqedonas, numri i shqiptarëve në Këshillin që administron Bankën Popullore mbetet dy – ndërsa maqedonasit arrijnë në 9. Dhe, në vend të rritjes së përfaqësimit të drejtë edhe në Bankën Popullore, me emërimet e reja nga ana e Qeverisë, përqindja bie. Përfaqësim të drejtë nuk ka edhe në organet tjera brenda Bankës Popullore, ndërsa të gjitha dokumentacioni që del nga kjo bankë dhe komunikimi me organet shtetërore, bëhet vetëm në maqedonisht. “Marrëveshja e Ohrit duket se nuk ekziston për këtë organ të rëndësishëm që merret me politikat monetare të shtetit. Obstruksionet për mbajtjen e gjendjes në status quo vijnë nga të gjitha anët”, thonë edhe ata pak shqiptarë që punojnë në BPMV.
Veç kësaj, asnjë lajm nga Qeveria nuk ka për ndryshimin e Ligjin për bankënotat, konkretisht paralajmërimet se bankënotat do të jenë edhe në shqip. Përveç fotografive në bankënota ku psqaryohet edhe ambienti shqiptar, nuk ka një vendim tjetër që do ta ndryshojë situatën me përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Bankën Qendrore të shtetit.
Në ndërkohë, Këshilli i BPMV, sipas sqarimeve që jepen në faqen zyrtare të Bankës, është një organ që administron Bankën Popullore dhe është organi kryesor për vendimet që dalin nga ky institucion i cili krijon politikën monetare në vend. Këshilli i Bankës Popullore përbëhet nga nëntë anëtarë, njëri prej të cilëve është Guvernatori, dhe tre janë Zëvendësguvernatorë dhe ata kanë statusin e anëtarëve ekzekutivë. Pesë anëtarët e tjerë janë anëtarë joekzekutivë. “Këshilli i Bankës Popullore është përgjegjës për përcaktimin dhe formulimin e politikave dhe kontrollimin e zbatimit të politikave dhe mbikëqyrjen e funksionimit të Bankës Popullore. Guvernatori i Bankës Popullore kryeson Këshillin e Bankës, ka funksionin kryesor ekzekutiv në Bankën Popullore dhe është i ngarkuar me punët e saja të përditshme. Zëvendësguvernatorët ndihmojnë guvernatorin në punët e përditshme. Anëtarët joekzekutivë marrin pjesë në vendimmarrjen e Këshillit të Bankës Popullore”, thuhet në Ligjin për Bankën Popullore.
Këshilli ka një numër kompetencash dhe detyrash, përfshirë përcaktimin dhe miratimin e politikës monetare dhe të kursit të këmbimit të Bankës Popullore. Këshilli përcakton regjimin e kursit të këmbimit dhe formulon dhe miraton politikat e Bankës Popullore në lidhje me kryerjen e detyrave të saj dhe miraton rregulla të brendshme për zbatimin e tyre. Ky organ miraton gjithashtu Planin e Llogarisë për bankat në përputhje me ligjin.
Anëtarët e Këshillit të Bankës Popullore emërohen për një mandat shtatë vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Anëtarët joekzekutivë të Këshillit të Bankës Popullore emërohen nga Kuvendi me propozim të Qeverisë. Ligji thotë se një anëtar i Këshillit të Bankës Popullore mund të jetë një person, qytetar i Maqedonisë, i cili ka një reputacion të duhur, të paktën arsim sipëror dhe përvojë të përshtatshme profesionale ose akademike në fushën e ekonomisë, financave, bankave ose juridikut. (koha.mk)




