Personave me Aftësi të Veçanta u shënua edhe 10-vjetori i hapjes së Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit në Fakultetin Pedagogjik të UT-së. Përgjegjësi i kësaj katedre Prof. Dr. Buniamin Memedi tha se para 10 vjetëve janë regjistruar 33 studentët e parë në programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit dhe para 3 vjetëve regjistruam 21 studentë në gjeneratën e parë të studentëve në studimet pasdiplomike në tre programe. “Këtë përvjetor regjistruam edhe 17 studentë në programin e ri të Logopedisë. Kontribuam në zhvillimin profesional të studenteve por edhe të stafit akademik. Sot në katedër kemi 4 doktorë shkencash shqiptarë dhe një maqedonase. Të gjithë asistentët kanë gradën shkencore magjistër, ndërsa 3 prej tyre janë në shkollën e doktoraturës. Tani pas 10 vjetëve të akreditimit të programit tonë studimor kemi mbi 200 edukatorë specialë dhe rehabilitatorë të diplomuar. Në 27 shkolla të vendit janë punësuar 27 bashkëpunëtorë profesionalë edukatorë specialë dhe rehabilitatorë, të cilët kanë arritur kompetenca të larta prfesionale për t’u ballafaquar me sfidat e problemeve, vështirësive, pengesave, dëmtimeve e deri te çrregullimet e spektrit të autizmit. 31 janë të punësuar në cilësinë e asistentit arsimor, 34 të punësuar nëpër OJQ, 1 i punësuar në Gjermani dhe një në Zvicër.” – u shpreh Prof. Dr. Buniamin Memedi.
Për nder të kësaj dite u mbajt edhe një punëtori me titull “Strategjitë efektive për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta në ambientet e mësimit” nga Fidan Nuhiu. Kjo punëtori, ishte shumë e frytshme dhe u theksua vlera e klasës si një familje, ku të gjithë janë të barabartë. Diskutimet përfshinë rolin e mësueses, asistentes dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Në fokus ishin nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale, me autizëm, vështirësitë në të nxënë veçanërisht disleksia dhe u prezantuan strategji të përshtatshme për të përmirësuar qasjen ndaj këtyre sfidave.
Pjesëmarrësit në këtë punëtori u ndanë shumë të kënaqur dhe në fund u pajisën edhe me certifikata nga ana e Fakultetit Pedagogjik për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në këtë sesion shumë të rëndësishëm pedagogjik.