Studentët e programit studimor të Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, më 25 dhjetor 2017, organizuan koncert me muzikë vokale-instrumentale. Ky koncert organizohet çdo fundvit me përmbylljen e ligjëratave për semestrin dimëror, ndërsa studentët e kësaj katedre performojnë pika të ndryshme artistike.
Shefi i programit studimor të Artit Muzikor, profesori Bajramali Idrizi, tha se nga viti në vit ky koncert po shndërrohet në një ngjarje shumë të rëndësishme për Universitetin tonë, ngase studentët tanë performojnë para një audience të madhe. “Në çdo përfundim të semestrit studentët tanë performojnë para publikut. Është interesante se kësaj radhe kishim një program shumë të veçantë, një program që realisht prezantohet për herë të parë, sepse së bashku kishim edhe korin edhe orkestrën, ndërsa studentët performuan pjesë më të bukura nga kompozitorë të njohur si Mocarti, Verdi etj. Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm dhe i veçantë si për studentët ashtu edhe për publikun, sepse performojnë mbi 100 studentë të programit studimor Art Muzikor si instrumentistët, kuarteti e kështu me radhë” – tha profesori Bajramali Idrizi.
Po ashtu studentët në këtë koncert me muzikë vokale – instrumentale para publikut prezantuan pjesë nga opera e Mocarti, Verdit, Paolos dhe të tjerë. E bukura e këtij koncerti ishte performanca e përbashkët e orkestrës së Fakultetit të Arteve dhe korit të Universitetit të Tetovës, të cilët përcollën emocione të veçanta për publikun.