Me qëllim për të identifikuar ndotësit në qytet, Komuna e Tetovës ka instaluar kamera në pesë pika në qytet. Ky veprim sipas këshilltarëve komunal të BDI-së është i paligjshëm dhe cenon privatësinë e qytetarëve.
“Kjo nismë është e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e ambientit jetësor dhe mbikëqyrjen nga Inspektorati Komunal”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk duke sqaruar se ky projekt është donacion. Ky veprim i Komunës, për këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) është i jashtëligjshëm pasi sipas tyre cenohet privatësia e qytetarëve. “Vendosja e këtyre pajisjeve përveç se përbën shqetësim për privatësinë e qytetarëve dhe keqpërdorim eventual, po ashtu është në kundërshtim me dispozitat ligjore të RMV-së”, pati shkruar këshilltari komunal Amet Rexhepi në rrjetin e tij Facebook.
Nga atje theksuan se sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kur përdoren teknologjitë e reja për një lloj të caktuar përpunimi, kontrollori (në këtë rast komuna e Tetovës) është i detyruar të kryejë vlerësim të ndikimit të operacioneve të synuara të përpunimit në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.
“Në lidhje me kryerjen e mbikëqyrjes video në një hapësirë publike, duhet të bëhet vlerësim paraprak i ndikimit të mbrojtjes së të dhënave personale”, sqaruan nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.


