Në prag të festës së Fitër Bajramit shitblerja nëpër tregje ka filluar të gjallërohet. Gjallëria vihet re në sektorin e tekstilit, të ushqimit, dhe të pijeve, por megjithatë, konsumatorët marrin vetëm gjërat e nevojshme pa u thelluar shumë. Në krahasim me vitin e kaluar në çmimet e produkteve ushqimore dhe rrobave nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim por, shitja është e vogël përshkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Tregtarët tani për tani nuk janë të kënaqur, por shpresojnë se gjatë ditës së nesërme do të ketë më shumë ndryshim.
“Është dobët, ekonomia mjaft është e rëndë, populli nuk ka para. Çmimet janë pak të larta, rroga nuk ka, papunësia është e madhe, këto të gjitha ndikojnë”, tha një shitës.
“Shitje te madhe nuk ka, ka shitje mesatare, njerëzit blejnë atë që ju duhet. Cmimet momentalisht kanë pësuar rrënje, këto gjelbërimet kushtojnë vetëm 10 denarë”, deklaroi një shitës.
Blerësit nga ana tjetër thonë se ajo që i bën çmimet e produkteve të pavolitshme janë pagat e ulta dhe papunësia.
“Ata që kanë blejnë ata që nuk kanë jo , papunësia është e madhe, ku te marrim. Me ndihmë sociale me 2000 denarë nuk jetohet këtu”, deklaroi një blerës.
“Jo, qytetarët mjaftueshëm nuk kanë, për shkak se situate është e tillë, varfëri dhe çmimet nuk janë aq të volitshme”, tha një blerës.
Pas 29 ditëve agjërim, muslimanët do të festojnë Fitër Bajramin të dielën, më 25 qershor. Atë ditë, besimtarët e karakterizojnë me vizita të shumta mes të afërmve.
Medina Ajeti
Në prag të festës/ Shitësit të pakënaqur nga… by tvshenjaofficial

