26 Janar
Njëqind kërkesat e para për liri pas miratimit të Ligjit për amnisti të të gjykuarve arritën në Gjykatën Penale. Kryetari i Gjykatës, Ivan Xholev, bëri të ditur se janë formuar këshilla penalë që do të përcaktojnë se sa prej 1500 të gjykuarve për të cilët është kompetente Penalja, i përmbushin kushtet që parasheh Ligji, për të përfituar nga ai. Pesëqind persona duhet të jenë tërësisht të amnistuar, ndërsa me mijëra të tjerë presin ulje të dënimit. Në brifingun e parë me gazetarët, Xholevi bëri të ditur edhe se Këshilli gjyqësor-buxhetor i ka ndarë Gjykatës Penale rreth gjashtë mijë euro për t’u furnizuar me kamera, por për shkak të kushtit që ato të blihen në afat prej një muaji, tenderët kanë dështuar. Mangësitë teknike dhe hapësinore në Gjykatë, për shkak të cilave deri tani janë prolonguar disa seanca, Xholevi konsideron se do të tejkalohen pas shpërnguljes së Penales në ndërtesën fqinje të barokut. Shpërngulja me siguri do të ndodhë më 31 mars – në ditën e gjyqësorit, ndërsa objekti i ri ka në dispozicion 25 salla gjyqësore. Megjithatë, për të, prolongimet e deritanishme të seancave me vërejtje se nuk ka pasur video-regjistrim janë të pabaza, meqë sipas Ligjit, Gjykata është e obliguar t’i regjistrojë seancës në mënyrë zanore, kurse në mënyrë vizuale-zanore në varësi nga mundësitë. Pohimet se kamerat kanë qenë si ato për dasma, janë ofendim për gjykatën, tha Xholevi. Rreth ngjarjeve të 27 prillit, kryetari i Penales mohoi se me të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të paligjshme.
Deputetët janë arrestuar, e jo paraburgosur. Është e saktë se kur janë arrestuar kishin imunitet, por pasi që u është hequr imuniteti, ata janë paraburgosur – deklaroi Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale.
Njeriu i parë i Gjykatës Penale bëri të ditur se qëkur është në këtë post, as PSP-ja, as Ministria e Drejtësisë nuk ka hetuar nëse ka keqpërdorim të sistemit Akmis për shpërndarje automatike të lëndëve te gjykatësit. Ai shtoi se ka kërkuar arsyetim nga gjykatësja Monika Bahçanovska nga VMRO-DPMNE, e cila është bashkëshorte e Vlladimir Bahçovanovski, meqë te ajo vlerësimi i lëndëve të Prokurorisë Speciale ka zgjatur më gjatë.
Alsat-M

