Përmes një kuizi të përgatitur nga nxënësit, Unioni i Nxënësve Shqiptar shënoi ditën ndërkombëtare të Librit në Çarshinë e vjetër të Shkupit. Kuizi përmbante pyetje nga fusha e Letërsisë dhe Logjikës, ndërkaq për çdo pyetje të përgjigjur saktë nga ana e qytetarëve, kishe dhuratë një libër.
“Ne vendosëm që jo vetëm të shpërndajmë një libër, sepse nëse dikujt ia jep vetëm një libër mund thjesht të mos e vlerëson në moment dhe pik pyetje a e lexon a jo, dhe në momentin që ne do bëjmë kuiz dhe do të bëjmë pyetjen dhe ai do të vlerësohet dhe do ketë më shumë gjasa ta lexojnë. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh, tani sa filluam dhe dhjetë libra i kemi shpërndarë veçmë”, tha Anjeza Gorenca, nxënëse.
“Ata ma bënë një pyetje dhe fitova një libër”, u shpreh një qytetar.
Dita ndërkombëtare e librit u shënua edhe në Tetovë.
“Së bashku me disa shoqata të cilat veprojnë në sferën e arsimit e realizojmë këtë projekt të librarisë mobile. Edhe vendi është përzgjedhur në atë formë të gjitha në oborrin e shkollës, në vendet ku më tepër ka frekuentim të nxënësve me qëllim që libri të jetë më pranë nxënësve”, deklaroi Ahmed Qazimi, Sektori për Arsim Komuna e Tetovës.
“Libri është instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së diturisë normalisht që ky eveniment do t’i nxis nxënësit të lexojnë sa më shumë libra sepse libri është larguar tepër nga nxënësit si pasojë e rrjeteve sociale”, tha profesori Urim Saliu.
23 prilli është shpallur si Dita Botëror e Librit në vitin 1995 me një rezolutë të UNESCO-s pasi u konsiderua se libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive.
Vjollca Aliti