Deri më tani në vendin tonë nuk ka presion për valë të emigrantëve nga Ukraina, por nuk do të thotë se nuk do të ketë në të ardhmen. Këtë e deklaroi ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i cili tha se te ne ka vetëm 50 emigrantë ukrainas të cilët kanë ardhur në mënyrë të organizuar për shkak të lidhjeve familjare, shkruan Alsat.
Spasovski shtoi se vendi është i gatshëm të ndihmojë me pranimin e emigrantëve. Ndërkohë ministri i brendshëm i Sllovenisë, Alesh Hojs, deklaroi se përkohësisht në vendin e tij kanë qëndruar rreth 10 mijë emigrantë, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët më pas janë larguar për në shtetet evropiane.
“Deri më tani nuk ka ndonjë numër të madh. Janë rreth 50 ukrainas dhe pjesë e qytetarëve ukrainas të cilët janë martuar me shtetas maqedonas, do të thotë familjet e tyre janë këtu, e të gjithë kanë ardhur me organizim të tyre privat, do të thotë për këtë pjesë nuk ka ndonjë presion të posaçëm tani për ardhjen e emigrantëve, që nuk do të thotë se nuk mund të na ndodhë, pasi ajo që ndodh në Ukrainë është me të vërtetë shumë e tmerrshme”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
“Momentalisht ka diçka më pak se 3 000 refugjatë… Më e mbushur me emigrantë për momentin është mbushur më tepër me dy milionë, Hungaria, Polonia janë të mbushura më pas janë Sllovenia dhe Kroacia, andaj në këtë moment jemi të gatshëm të presim rreth 10 mijë emigrantë, ndërsa këtë numër mund ta rrisim kur dukshëm do të rritet numri i emigrantëve”, deklaroi Alesh Hojs, Ministër i Punëve të Brendshme të Sllovenisë. /Alsat.mk