Analisti Fatos Lubonja tha sot në emisionin “Kjo Javë” në News 24 se deklaratat e kryeministrit se ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ishte e pastrehë, ishte thjesht gënjeshtra e radhës në serialin e mashtrimeve të tij.
Ai e cilësoi kreun e mazhorancës si drejtuesin e këtij sistemi të kapur dhe bandës së madhe, pasi theksoi se e ka ditur shumë mirë për pasuritë e vartëses, që ia sekuestroi SPAK së fundmi.
“Nuk mund ta shohim si të veçuar, sikur kemi të bëjmë me një organizatë kriminale, këtu është bandë e madhe, me në krye kryeministrin, këta janë skuadronet e bandës të shpërndara tej e tej dhe gjithandej. A e rrëzon apo s’e rrëzon qeverinë kjo është çështje tjetër. Flitet shumë për Orbanin kohët e fundit, skandali që e rrëzoi atë ishte një skandal që në një jetimore kishte mbrojtur një pedofil dhe e kishte falur. Krim ëhstë padyshim, imagjinoje, por të krahasosh përmasat, ku ke kryeministrin që del e thotë se është e ndershme (drejtoresha e AKSHI-t) kur e di shumë mirë se çfarë është ajo. Këtu kemi të bëjmë me bandë, pastaj e rrëzon apo s’e rrëzon është problem tjetër, kemi fuqi ta rrëzojmë këtë bandë apo na ka vënë në rresht e jashtë loje. Pra ajo del pjesë e asaj bande dhe ti të dalësh e të flasësh për të, kjo s’është në rregull”, tha Lubonja.
Ai komentoi se ky sistem nuk mund të rrëzohej ndryshe përveçse me presion të gjithanshëm, përfshirë qytetarët dhe drejtësia e re.
“Për mua sistemi është i gjerë, janë hallkat, është kryeministri në krye të sistemit. Padyshim që merr goditje, ti del e thuaj ajo është pa shtëpi kur ti e di se sa lekë ka ajo. A kemi forcë, them edhe SPAK e drejtësia, por edhe opinioni publik që të bëhet presion, të shtohet presioni, që të shikohet i gjithë sistemi i kapur”, vijoi analisti.
Lubonja mori një rast për analogji që lidhej me një deklaratë të mëparshme të kryeministrit:
“Mjafton rasti i shtëpisë 5 mijë metra katrorë e që tha se i bëri me paret e emigracionit, ku i ke faturat, boll kjo për të kuptuar që kemi të bëjmë me një gënjeshtar serial. Kjo ishte një nga gënjeshtrat e radhës të Ramës, dhe ai i mbulon gënjeshtër pas gënjeshtre, një gënjeshtër e mbulon me një tjetër”.


