Shkruan: Hamzi Ibraimi
Në çdo cep të botës ku flitet për drejtësi, Gaza mbetet fjala që rëndon më shumë. Është një plagë që nuk mbyllet, një dhimbje që nuk shuhet. Në Gaza nuk janë vetëm ndërtesat që shemben, por edhe shpresat e një populli që kërkon të jetojë me dinjitet. Çdo ditë, nën zhurmën e bombave, fëmijët rriten duke mësuar se si të mbijetojnë, jo si të ëndërrojnë.
Kjo nuk është vetëm çështje politike është një çështje njerëzore, morale dhe universale. Në shekullin e informacionit, ku çdo sekondë lajmet qarkullojnë në miliona ekrane, heshtja ndaj Gazës është më e rëndë se kurrë. Është heshtje e organizuar, e mbështjellë me fjalë diplomatike, që shpesh fshihet pas termave “neutralitet”, “balancë”, apo “siguri”. Por si mund të jesh neutral përballë padrejtësisë? Si mund të qëndrosh i heshtur kur shikon dhimbjen e një populli që për dekada kërkon vetëm një të drejtë themelore të jetojë i lirë? Në traditën tonë fetare, tregohet një histori e thellë që nga koha e profetit Ibrahim (a.s.). Kur ai u hodh në zjarr nga firaoni i asaj kohe, një milingonë e vogël mori një pikë uji dhe u nis drejt zjarrit për ta shuar. Ndërsa dikush e pyeti: “A mendon se me atë pikë uji ti do ta shuash zjarrin?” Ndërsa ajo u përgjigj:
“E di që nuk mund ta shuaj, por dua që Zoti ta dijë në cilën anë jam.” Ky është mesazhi më i madh që ka mbetet dhe duhet të miret shembull edhe në ditët e sotme: nuk ka rëndësi sa je i vogël, por në cilën anë qëndron. Ne jemi milingonat e kohës sonë. Nuk kemi bomba, as ushtri, por kemi zërin tonë, ndërgjegjen tonë dhe dëshirën për drejtësi.
Sot, kur çdo fjalë për Palestinën peshohet me frikë, ne zgjedhim të themi me qartësi: ne jemi me ju, Gaza. Jo për politikë, jo për ideologji, por për njerëzi. Sepse çdo fëmijë që humb jetën në Gaza, është fëmija i gjithë botës. Çdo nënë që qan në Gaza, është nënë e njerëzimit. Çdo shtëpi e rrënuar aty, është një gur që bie mbi ndërgjegjen tonë kolektive. Ka njerëz që thonë: “Çfarë mund të bëjmë ne? Jemi të vegjël, nuk kemi ndikim.” Por historia tregon se ndryshimet e mëdha kanë filluar nga zërat e vegjël. Një fjalë e drejtë në kohën e padrejtësisë është akt guximi. Një qëndrim moral përballë dhunës është akt besimi. Ne mund të jemi të vegjël, por nëse çdo zemër ngrihet për të thënë “mjaft më”, forca e së mirës shumëfishohet.Drejtësia nuk matet me fuqinë e armëve, por me fuqinë e qëllimit dhe të së vërtetës. Në histori, shumë padrejtësi kanë mbetur të pashlyera për dekada, por asnjë nuk ka mbetur pa dëshmi. E sot, dëshmia jonë është fjala, qëndrimi dhe solidariteti me popullin e Gazës. Nëse heshtim sot, nesër do të jemi ne që do të kërkojmë dikë të flasë për ne. Prandaj, le të jemi zëri që nuk shuhet, zëri që ruan njerëzinë në kohën e egërsisë.
Nëse bota është një fushë e madhe zjarri, le të jemi secili ne nga një milingonë që mban një pikë uji. Sepse çdo veprim i vogël, çdo fjalë e drejtë, çdo qëndrim i ndershëm ka vlerë.
Ndoshta nuk mund ta shuajmë zjarrin e luftës, por mund të tregojmë se jemi në anën e drejtësisë. Jo vetëm me fjalë, por me shpirt, me ndjenjë dhe me bindje se njerëzimi nuk vdes për sa kohë ka edhe një zemër që ndien dhimbjen e tjetrit.