Në Gjykatën Penale të Shkupit sot(e martë) duhet të mbahet seanca për rastin “Trust”, në të cilën i dyshuari i parë është biznesmeni Seat Koçan.
Specialja i ngarkon kompaninë “Transmet”, “Sileks Nemetali” dhe “Vato” se me dokumente të falsifikuara kanë bërë konsorcium dhe kanë fituar tender në vlerë prej mbi 17 milionë euro. I dyshuar i parë është biznesmeni Sead Koçan. Për të dyshuarin e dytë, nënshkruesi i autorizuar në kompaninë “Sileks Nemetali” gjykata përcaktoi masën e kujdesit.
Në kuadër të rastit “Trust”, në të cilin Prokuroria Speciale shpalosi dyshimet për veprime të jashtëligjshme dhe falsifikim të dokumenteve, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur që të fitohen tenderë në vlerë prej 1 miliardë e 60 milionë denarë. Fillimisht prokuroria Speciale kërkoi masën e paraburgimit për dy persona fizik, mirëpo siç njoftojnë nga gjykata, prokuroria ka ndryshuar kërkesën për njërin nga të akuzuarit, duke kërkuar shqiptimin e masave të kujdesit.
Paraprakisht seanca gjyqësore më 7 nëntor u shty, sepse avokatët e mbrojtjes nuk e kanë marrë listën me dëshmi që i ka propozuar Prokuroria Speciale Publike.
Prokurori i Prokurorisë Speciale Publike, Gavrillo Bubevski në seancën e kaluar tha se ata deri te Gjykata i kanë dorëzuar dëshmitë në numër të mjaftueshëm ekzemplarësh dhe se sipas procedurës Gjykata është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes listat me dëshmi krahas aktakuzave.
Kujtojmë që Gjykata Themelore dy herë radhazi kundërshtoi paraburgimin e Sead Koçanit por gjykata e Apelit ia kthente vendimet me ankesë të Speciales. Pasi Koçan u kthye nga arratija, kryeprokurori Marko Zvrlevski i erdhi në shpëtim me kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë. Pastaj në ndihmë u paraqit kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski, i cili ia pranoi ankesën Zvërlevskit dhe Koçani i kthyer nga arratia u la i lirë me garanci dhe pasaportë të marrë përkohësisht./Almakos

