Në garën për kryetar komune të Dibrës janë regjistruar dy kandidatë

Në garën për kryetar të komunës së Dibrës, në zgjedhjet e parakohshme lokale, më 21 prill do të marrin pjesë dy kandidatë.

Këta janë mjekët e njohur të Dibrës, Hekuran Duka, i cili është kandidat i BDI-së dhe Arben Agolli i Aleancës për Shqiptarë, i mbështetur nga Lëvizja “Besa”.

Dr. Hekuran Duka është i lindur në Dibër, i martuar, baba i tre fëmijëve. Arsimin e mesëm e ka përfunduar në vendlindje, ka diplomuat në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku ka përfunduar specializim për urologji. Është i punësuar në Spitalin e përgjithshëm në Dibër nga viti 1994.

Ai është ushtrues aktual i detyrës kryetar. Në zgjedhjet e fundit lokale, në vitin 2017 ishte pjesë e listës së kandidatëve të BDI-së dhe është zgjedhur për këshilltar në Këshillin e komunës.

Dr. Arben Agolli ka lindur në Dibër në vitin 1959, i martuar, baba i dy fëmijëve. Arsimin e mesëm e ka kaluar në Dibër, ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa ka specializuar për pediatri në Shkup. Në profesion ka 34 vjet stazh, 20 prej të cilave si pediatër. Nga viti 2004 punon si pediatër amë.

Ai ishte kandidat i Aleancës për shqiptarët dhe në zgjedhjet në vitin 2017, kur me diferencë të vogël në vota, në rrethin e dytë u zgjodh Ruzhdi Lata, që ishte mandati i tij i dytë.

Në zgjedhjet me kandidatë të tyre vendosën që të mos marrin pjesë LSDM dhe VMRO-DPMNE, prej ku konfirmojnë se ende nuk kanë qëndrim se cilin kandidat do ta mbështesin.

Zgjedhjet për kryetar komune të Dibrës organizohen për shkak të vdekjes së kryetarit paraprak, Ruzhdi Lata, i cili në moshën 65-vjeçare, ndërroi jetë në fund të nëntorit të vitit të kaluar, pas një sëmundje të shkurtër dhe të rëndë.

Loading…

TAGS