Në shënimin e 26 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, sot kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar edhe nga zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, vendosën lule në shenjë nderimi në varret e ish presidentëve të vendit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski. Siç theksuan nga shërbimi qeveritar, një nderim i tillë vjen në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për vendin.
Në këtë përvjetor të 26 të vendit, kryeministri Zaev tha bindshëm se ekzistojnë mundësi që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.
“E ardhmja jonë si qytetarë, e ardhmja e Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Reale janë shanset që në vjeshtë Maqedonia të merr rekomandim të pastër nga Komisioni Evropian. Reale janë shanset që Maqedonia të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s. Realitet janë perspektivat ekonomike, qetësi në familje, fëmijët në shtëpi, punësime të reja, ndërmarrje të suksesshme, arsim evropian, shëndetësi bashkëkohore”- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Ndërkohë, ministrja Radmilla Sheqerinska, sot ndodhej në majën e malit Bushevë, sëbashku me kapitenin e Marinës, Gorazd Bartol dhe shefin i Zyrës për lidhje të NATO-s.
Sipas saj, qëllimi ka qenë që festimi për 8 Shtatorin të mos jetë tipik dhe së bashku qytetarët e Krushevës dhe rajonit, të punësuar në MM dhe ARM, partnerë të NATO-s, atashetë ushtarak dhe kori diplomatik, të niset drejt një maje në Republikën e Maqedonisë.
“Gjatë 26 viteve pavarësi kaluam nëpër momente të mira dhe të vështira, por treguam se kur kemi qëllim të njëjtë, kur jemi këmbëngulës dhe të qëndrueshëm, ai qëllim është i arritshëm. Sot na duhet bashkim rreth qëllimit të përbashkët strategjik – anëtarësim në NATO dhe BE”, tha ministrja Shekerinska duke e uruar festën.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për shënimin e kësaj dite ishte ndarja e çmimit “ 8 Shtatori”, ku në mesin e emrave të shpërblyer, nuk figuronte asnjë emër shqiptarë. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, shahistit Ivan Koçovski iu nda çmimi i sivjetmë shtetëror për vepër jetësore “8 Shtatori”, të cilën për të gjashtën herë me radhë e ndau Agjencia për të rinj dhe sport,çmim të cilin ia ndau drejtori u kësaj agjencie Darko Kaevski. Gjithashtu mirënjohje fituan kitaristi Petar Belistojanovski, notuesi Aleksandar Kocevski Xhajo, hendbollisti Risto Magdinçov dhe lundruesi i kaikes, Gjokica Nikollovski.
Analistët sot për mediat në vend kanë theksuar se nëse flitet për shtet demokratik, flitet vetëm nga maqedonasit dhe jo shqiptarët, pasi që sipas tyre nga shqiptarët nk është përjetuar asnjë moment demokratik gjatë këtyre 26 vitesh pavarësimi.
Ndryshe, krizat politike të viteve të 80-ta dhe konfliktet ndëretnike të viteve 90 sollën shpërbërjen e Ish-federatës Jugosllave. Luftërat në këtë periudhë anashkaluan Maqedoninë, e cila e qetë nga konfliktet e armatosura që ishin ndezur tashmë në ish-republikat e tjera, hyri në një fazë të re. Më 8 shtator të vitit 1991 u organizua referendumi për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët, pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit. Multietniciteti, si karakteristikë kryesore e shtetit, ishte një sfidë e madhe për elitat politike, por edhe për shoqërinë në tërësi, në aspektin e sigurimit të barazisë dhe të të drejtave të bashkësive etnike, luftë kjo që vazhdon edhe 26 vite pas shpalljes së pavarësisë. /Almakos.com/
Evi Shkopi
Almakos.com