Me përfshirjen në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues, pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të mund të realizojë të drejta të njëjta sikurse bashkësitë tjera etnike, si ajo turke, serbe, boshnjake, rome dhe vllahe. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Hoxhiq, zëvendësdrejtor i agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive etnike.
Përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë duhet t’i paraprijnë ndryshimet kushtetuese që janë në procedurë parlamentare, por miratimi i tyre është vënë në pikëpyetje për shkak se shumica parlamentare nuk i ka siguruar ende dy të tretat e votave nga 120 ulëset në Kuvend.
Përfshirja e kësaj pakice kundërshtohet nga opozita maqedonase që udhëhiqet nga OBRM-PDUKM-ja me arsyetimin se kjo do të rrezikonte “gjuhën dhe identitetin maqedonas” apo se do të nënkuptonte “bullgarizim të Maqedonisë”.
Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese është kusht për Maqedoninë e Veriut për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në rast të dështimit, Sofja mund të bllokojë procesin e mëtejmë integrues.
Xhelal Hoxhiq thotë për Radion Evropa e Lirë, se me përfshirjen në Kushtetutë, pakica bullgare nuk do të fitonte më shumë të drejta se bashkësitë etnike dhe se të gjitha të drejtat e tyre do të jenë në përputhje me ligjet në fuqi.
Ai thotë se të drejtat e tyre kryesisht kanë të bëjnë me arsimin, informimin, aktivitetet për zhvillimin dhe ruajtjen e traditave të tyre përmes organizimeve të ndryshme dhe punësimit në organet shtetërore.
“Nëse shihni bashkësitë etnike që janë pjesë e preambulës së Kushtetutës dhe ato që nuk përmenden, ka dallime në realizimin e të drejtave të tyre. Të gjitha bashkësitë etnike që janë pjesë e preambulës kanë redaksitë e tyre në transmetuesin publik, domethënë programe në gjuhët e tyre amtare. Veç kësaj, ato zhvillojnë procesin mësimor në gjuhët e tyre siç është rasti me serbët, boshnjakët dhe turqit sikur që kemi edhe mësimin e gjuhës dhe kulturës së etnitetit vlleh dhe rom. Këto të drejta nuk i kanë bashkësitë që nuk përmenden në preambulë”, thotë Hoxhiq.


