9 Tetor 2018 / 12:21
Qeveria dje në seancë të jashtëzakonshme shqyrtoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ku miratoi tekstin dhe e dorëzoi në Kuvend, me qëllim që të shqyrtohet dhe të sillet vendim për fillimet e ndryshimeve Kushtetutës të parapara në Marrëveshjen e Prespës.
Sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit, e gjithë procedura për ndryshimin e Kushtetutës duhet të zgjasë rreth tre muaj e gjysmë.
Procedura për ndryshim të Kushtetutës do të shkonte në tre faza. Në fazën e parë, Kuvendi, me shumicë prej dy të tretave duhet të sjellë vendim për aderim drejt ndryshimit të Kushtetutës. Në fazën e dytë duhet të përcaktohen draft-amendamentet dhe për këtë nevojitet shumicë e thjeshtë ose 61 vota. Faza e tretë dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose mbështetje prej më së paku 80 deputetëve.
Faza e parë filloi dje me dorëzimin e Propozimit për ndryshimet kushtetuese nga Qeveria deri te Kuvendi mund të zgjasë së paku 20 ditë pune, 10 ditë për debat në Komisionin Parlamentar dhe edhe 10 ditë në seancën plenare të Kuvendit.
Procedura vazhdon në seancë plenare në Kuvend, në të cilën me shumicë prej dy të tretave duhet të sillet vendim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës dhe më pas kalohet në fazën e dytë, domethënë përgatitja dhe përcaktimi i draft-amendamenteve. Rregullorja parlamentare parasheh që nga momenti i parashtrimit të draft-amendamenteve në Kuvend deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë.
Kërkimi për secilin draft-amendament në veçanti mund të zgjasë më së shumti tre ditë dhe në Komision edhe në seancën plenare, por mund të përfundojë edhe më shpejt se afatet maksimale.
Më pas Kuvendi me së paku 61 vota duhet t’i përcaktojë draft-amendamentet, pas çka ata shkojnë në debat publik, kohëzgjatjen e të cilave e përcakton Parlamenti.
Pas kësaj faze të ndërmjetme, Qeveria duhet t’i përgatisë propozim-amendamentet dhe t’i dorëzojë deri te Kuvendi. Nga momenti i dorëzimit të propozim-amendamenteve në Kuvend deri te mbajtja e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë.
Propozim-amendamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjvënës -juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese dhe në fund edhe në seancë plenare.
Vendimi final për miratimin e amendamenteve sillet me shumicën prej dy të tretave ose së paku 80 vota. Për amendamentin e Preambulës të Kushtetutës përveç shumicës prej dy të tretave, nevojitet edhe shumica e Badenterit.


