Neuropsikiatri Sami Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka ofruar një pasqyrë të thellë mbi çrregullimin bipolar, një nga çrregullimet më komplekse mendore.
Çrregullimi bipolar është një çrregullim mendor i cili karakterizohet nga ndryshime ekstreme në humor, duke kaluar nga fazat e larta të manisë deri te episodet e rënda të depresionit.
Doktori Rexhepi, në këtë podcast, ka shpjeguar se si këto ndryshime të disponimit ndodhin dhe ndikojnë në jetën e përditshme të individëve. Ai theksoi se “është një çrregullim ku ndërrojnë fazat, kur e kemi fazën manike dhe hipomanike… kur personat një periudhë të caktuar kohore janë shumë depresivë, të tërhequn dhe kanë pasqyrë klinike të një depresioni.”
Faza tjetër, sipas tij, është periudha kur individët ndihen hiperaktivë, të pandalshëm, dhe përjetojnë një mbi-disponim. Këto faza janë ciklike, dhe mund të ndodhin menjëherë pas një periudhe të qetë. Kjo është ajo që e bën çrregullimin bipolar të jetë kaq sfidues për të jetuar dhe menaxhuar.
Sipas neuropsikiatrit, është e rëndësishme të kuptohet se individët me çrregullim bipolar shpeshhetë preferojnë trajtimin dhe menaxhimin e simptomave të tyre me mbështetje nga të dashurit dhe profesionistët e shëndetit mendor.
Familja luan një rol kyç në këtë proces, sepse ndihmon në identifikimin e shenjave të para të një krize dhe ofron mbështetje emocionale. “Këta persona thjesht janë më të menaxhueshëm se nëse flasim për një skizofreni kronike,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe kuptimit të çrregullimit nga ana e të afërmve.
Kjo është një fushë studimi që vazhdon të rritet, dhe kërkimet e reja po ofrojnë më shumë njohuri në lidhje me mekanizmat biologjikë dhe mjedisorë që kontribuojnë në zhvillimin e këtij çrregullimi. Përveç simptomave të zakonshme, pacientët shpesh përballen me stigma sociale dhe probleme në marrëdhënie për shkak të natyrës së paqëndrueshme të disponimit të tyre.