Në tabelën e matjeve të ndotjes në faqen e ministrisë së Ambientit Jetësor, kryeson rrethi i gjelbër i cili tregon se cilësia e ajrit është kualitative. Gjendje e njëjtë paraqitet në gjithsej 17 stacionet matëse të ministrisë së Ambientit. Kushtet klimatike që përfshinë vendin nga mbrëmja e së premtes, kanë ndikuar në pastrimin ajrit të ndotur. Meteorologët sigurojnë se moti që do të mbizotërojë javës së ardhshme, do të eliminojë në masë të madhe prezencën e deritanishme të grimcave helmuese.
Parametrat meteorologjik që do të përfshinë vendin ditëve në vazhdim do të jenë të favorshme për sa i përket ndotjes së ajrit. Kjo do të thotë se kushtet klimatike do të ndihmojnë të kemi më pak ndotje në ajër pasi do të kemi qarkullim ajror nga ana veriore ku reshjet e shiut që do të jenë mesatare por ndonjëherë dhe të fuqishme të cilat do të ndikojnë që të kemi ndotje më të ulët në ajër – tha Lence Ristova, Enti për Punë Hidrometeorologjike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i Shkupit Shilegov tha se ndër masat afatshkurta që pritet të zbatohen kundër ndotjes, do të jetë edhe rritja e buxhetit të Shkupit për zgjerimin e hapësirave publike.
Buxheti i Qytetit të Shkupit i cili do të jetë në Këshillin e Qytetit të martën, mes tjerash parasheh edhe zmadhim të buxhetit për furnizim të hapësirave të gjelbërta. Gjatë vitit të ardhshëm Qyteti i Shkupit do të harxhojë mjete buxhetore për gjelbërime dhe riorganizim të sektorëve komunale për mirëmbajtjen e hapësirave të vjetra dhe krijimin e hapësirave të reja të gjelbërta – dekalroi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Nga Enti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se javës që vjen territori i vendit do të përfshihet nga mot i ftohtë dhe i thatë, ndërkaq në pjesën perëndimore të vendit dhe në zonat malore nuk do të mungojnë reshjet e dëborës.
Nesër do të jetë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe i ftohtë me erë nga ana veriore, paradite në pjesën perëndimore do të ketë reshje dëbore, në disa vende do të formohet edhe shtresë dëbore, normalisht që në vendet malore ajo shtresë e borës do jetë më e madhe. Nga e marta deri të premten do të përfshihemi nga mot stabil i thatë dhe më i ftohtë nga pjesa veriore, kështu që do të mbajë kohë e ftohtë me diell me vranësira mesatare me erë të lehtë nga ana veriore. Temperaturat ditore do të lëvizin nga -1 deri në 5 gradë celsius përfshirë të martën të mërkurën dhe të enjten. Mëngjeset do të jenë më të ftohta të mërkurën dhe të enjten madje deri në -10 gradë – u shpreh Lence Ristova, Enti për Punë Hidrometeorologjike.
Nga ministria e Ambientit Jetësor thonë se pavarësisht përmirësimit gjendjes së ajrit si rezultat i kushteve klimatike, gatishmëria e autoriteteve për masa urgjente duhet të ekzistojë. Ndryshe të nesërmen zyrat e Qytetit të Shkupit do të jenë të hapura nga ora 12 deri në orën 14:00 të pasdites për të gjithë ata qytetarë të cilët duan të japin propozimet e tyre kundër ajrit të ndotur.
Vjollca Aliti

