Grupe qytetarësh dhe ekoaktivistë në ora 17 do të protestojnë kundër ndotjes enorme të ajrit, i cili ditëve të fundit ka tejkaluar kufijtë e lejuar deri në 20 herë.
“Udhëtim pa pagesë me transport të qytetit gjatë tërë dimrit. Blerje dhe shpërndarje e menjëhershme e maskave me standarde të nevojshme për mbrojtje për të gjithë popullatën e Shkupit. Sigurim pa pagesë të ngrohjes me dru për qytetarët të cilët ngrohen me goma dhe materiale të tjera të dëmshme. Kontrolle të pa paralajmëruara tek objektet industriale të cilat dyshohen se janë ndotës. Ndërprerje e të gjitha punëve ndërtimore në Shkup”, janë disa nga kërkesat që kanë paralajmëruar organizatorët e protestës. Po ashtu ata kërkojnë nga Parlamenti i ri që të sjell ligj ku ndalohet dëmtimi i pjesës së gjelbër, dhe ai që dëmton hapësirën e gjelbër të dënohet me 10 vjet burg.