Herri Kejn shënoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 17-të, në duelin e çmendur PSG-Bajern që u mbyll me shifrat 5 me 4. Ishte sulmuesi anglez ai që hapi serinë e golave, teksa në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, vlerësoi maksimalisht këtë duel duke deklaruar:
“Mendoj se pamë dy skuadra të nivelit shumë të lartë, veçanërisht në lojën sulmuese, në tranzicionet, shpejtësinë dhe intensitetin në duelet një kundër një. Dy nga ekipet më të mira u përballën hapur me njëra-tjetrën.
Në përgjithësi, patëm momente kur mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Gjithashtu, ndihemi krenarë që e çuam rezultatin në 5-4, sepse të luash në transfertë dhe të jesh në disavantazh 5-2 mund të jetë një situatë shumë e vështirë. Por ne luftuam dhe tani jemi plotësisht në garë për kualifikimin.
Patëm momente kur mund të kishim qenë më të saktë në pasimin e fundit ose në goditjen përfundimtare. Ndjemë se u përmirësuam gjithnjë e më shumë, veçanërisht me kalimin e ndeshjes, ndërsa ata nisën të lodheshin. Thjesht duhet të sjellim të njëjtin intensitet. Javën e ardhshme do të kemi nevojë edhe më shumë për këtë.
Javën e ardhshme do të fitojë skuadra që do të shfrytëzojë më mirë momentet e saj. Pati shumë momente gjatë ndeshjes dhe me shumë gjasa e njëjta gjë do të ndodhë edhe javën tjetër. Duke luajtur në shtëpi dhe me mbështetjen e tifozëve tanë, shpresojmë që kjo të na ndihmojë ta kalojmë vijën e finishit.”, deklaroi Kejn.
PANORAMASPORT.AL


