Një 52-vjecar shqiptar me shtetësi britanike, është dënuar me 2 vjet heqje lirie nga Gjykata e Sarandës për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli në Ksamil. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Entiljano Spahiu në 24 qershor, në një proces ku edhe pse u aplikua gjykimi i shkurtuar, zgjati rreth 3 vite, pasi Gjykata e kishte kthyer për plotësim hetimesh.
Më datë 16 maj 2023, ështe konstatuar nga Specialisti i Policisë së Rendit në Zonë se në Lagjen Nr. 2, Ksamil, po kryhej nje ndërtim, për të cilin dyshohej se nuk ishte zhvilluar konform kuadrit ligjor në fuqi. Këto punime ishin kryer nga shtetasi Gazmir Mediu. Bëhej fjalë për një objekt dykatësh me konstruksion beton dhe kollona. Menjëherë nga policia u procedua me arrestimin në flagrancë të te dyshuarit, i cili u la më pas i lirë nga Gjykata.
Por teksa pritej që punimet të kishin ndaluar pas kapjes në flagrancë të te dyshuarit dhe marrjes së masave nga IMT e Bashkisë Sarandë, një akt ekspertimi i kryer rreth një vit e gjysëm pas ngjarjes, teksa gjyqi ndaj te dyshuarit kishte nisur, zbuloi se objekti tashmë ishte vënë në funksion si hotel. Pra punimet pa leje kishin vijuar pa u penguar nga asnjë institucion shtetëror.
Ekspertimi nga Ing.Nd. Juvena Gjika dhe Ing. Gjeodet Behaudin Dobi dhe nga vëzhgimi kronologjik gjeohapësinor nëpërmjet platformës Google Earth, u zbulua se në imazhin e muajit mars 2022, ndërtesa ishte vetëm 39 m². Në muajin maj 2023 evidentohen sheshi i ndërtimit në kuotën e parkimit, ndërsa në shtator 2024, kohë e inspektimit, ky ndërtim ishte funksional, i përfunduar, i mobiluar dhe në përdorim, duke funksionuar si Hotel.
Sipas vlerësimit të gjykatës, “organizimi funksional i objektit në recepsion, holl pritës, pesë dhoma apo garsoniere, depo dhe poste parkimi, si dhe konstatimi i ekspertëve se gjatë inspektimit stafi i punësuar ishte larguar nga objekti për shkak të pranisë së pushuesve, janë elemente objektive që tregojnë se ndërtimi nuk kishte destinacion të thjeshtë banimi familjar. Gjykata çmon se vetë karakteristikat ndërtimore të objektit, sipërfaqja e konsiderueshme prej 255 m², organizimi në njësi të veçanta akomoduese, integrimi me hotelin ekzistues, mobilimi dhe vënia në përdorim e tij si strukturë akomoduese, provojnë se ndërtimi është kryer për qëllime fitimi”.
Në këto kushte, Gjykata vendosi dënimin e Gazmir Mediut për veprën penale Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal me 3 vite burgim dhe në aplikim të nenit 406, uljen e 1/3 së dënimit dhe dënimin e tij me 2 vite burgim. Edhe pse me dënim nga Gjykata e Shkallës së Parë, është vendimi i Apelit ai që do përcaktojë nëse 52-vjecari do e vuajë apo jo dënimin me burg, pasi ai është gjykuar deri tani në gjendje të lirë.


