https://www.youtube.com/watch?v=dkOfWyE2JZk
Një xhami e re duket se do të ngrihet në lagjen Shkup-Veri, në një hapësirë të vogël dhe të papërshtatshme parkimi. Një grup qytetarësh të kësaj lagjeje kanë ngritur iniciativë për ndërtimin e saj, në rrëzë të ndërtesave të larta në këtë lagje. Organizatorët thonë kanë mbledhur 910 nënshkrime nga banorët e kësaj lagje, dhe pastaj, me marrjen e pëlqimit edhe të Bashkësisë Islame, i janë dorëzuar në Komunën e Butelit si propozim, që në ato pak metra hapësirë të ndërtohet një xhami.
Kemi arritur të mbledhim 910 nënshkrime me peticion të ciliën e kemi bë këtu në lagjen tonë dhe kemi marr hapa konkrete, kemi vendosur këto shenja për të tregu se ku do të ndodhet xhamia në Shkup-Veri. Më shumë se 95 % e qytetarëve dëshirojnë xhami në lagjen tonë. Jam i autorizuar nga BFI-ja, jemi në bisedime me komunën e Butelit, për momentin është qetë, nuk ka kundër kështu që ne vazhdojmë bisedimet- tha organizatori Omer Rushiti.
Nga Komuna e Butelit thonë për Alsat se nuk mund të konfirmojnë iniciativën apo marrjen e mundshme të saj në shqyrtim.
Nuk mund të konfirmojmë e as të mohojmë se kemi pranuar një kërkesë të tillë. Lidhur me këtë do të përgjigjemi pas disa ditësh- bëjnë me dije nga komuna e Butelit.
Nga ana tjetër, nga qytetarët e anketuar për Alsat nuk kanë shumë njohuri se çfarë do të ndërtohet brenda parcelës së rrethuar.
“Këtu është një iniciativë për ndërtimin e një xhamie të vogël. Sa jam i informuar kanë bërë peticion, tjetër gjë nuk di çfarë t’ju them më shumë”.
“Nuk e di. Hajdeni në mbrëmje dhe bëni intervista me ata që e kanë organizuar- thonë dy qytetarë të intervistuar.
Nga BFI-ja konfirmojnë nismën për ndërtimin e xhamisë në lagjen Shkup-Veri dhe thonë se parkimi nuk është i banesave, por ka qenë i jashtëligjshëm. Megjithatë, një pjesë e banorëve shprehin rezerva rreth vendit të ngritjes së xhamisë, ndërkohë që dyshojnë edhe në firmat e mbledhura të qytetarëve, pasi në peticion nuk ka qenë e shprehur asnjëherë vendndodhja e saktë, por vetëm pëlqimi i përgjithshëm për një xhami në këtë rajon.
Melihate Rustemi