Nafie Selmani
Dhe a po e pengon Adnan Azizi, Izet Mexhitin për ta mbajtur kontrollin real mbi VLEN-in? (Sipas informatave që vijnë nga brenda VLEN-i).
Pas disa javësh nga shpalosja e idesë së Zeqirija Ibrahimit që VLEN-i të shndërrohet në një parti të vetme me pjesëmarrje të barabartë të gjithë aktorëve aty, tashmë është e qartë se ky plan nuk ka pothuajse asnjë gjasë të realizohet, e këtë e ka ditur mirë edhe ai vetë. Kështu duke e ditur atëherë pse e ka propozuar? Apo për ta minuar procesin e VLEN-it ne një parti? Arsyet janë të dukshme dhe kryekëput të ambicieve politike.
As Izet Mexhiti dhe as Bilall Kasami nuk mund ta pranojnë që individë brenda VLEN-it, pa parti dhe pa struktura reale në terren (Sali, Qoku, Fetai) të barazohen me subjektet që kanë organizim, shtrirje dhe një peshë politike. Po aq e papranueshme për ta është ideja që Alternativa, me një “mini-bus” partiak, të trajtohet si e barabartë me ta në vendimmarrje dhe ndikim.
Natyrisht, mos prisni se këto ata do i thonë në media publikisht.
Në fakt, beteja reale sot nuk është më për “VLEN-in si koncept”, por për fronin e tij. Dhe kjo betejë po zhvillohet mes Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit.
Nëse i analizojmë reagimet e aktivistëve dhe terrenin politik të VLEN-it, duket se froni real i këtij formacioni i takon Izet Mexhitit. Ai ka shtrirje më të madhe, aktivistë më të zëshëm dhe më të organizuar, si dhe një avantazh simbolik e praktik pasi ai vjen nga Shkupi. E këtu lind një pyetje legjitime politike: a nuk është koha që partitë shqiptare ta kenë selinë dhe boshtin e vendimmarrjes në kryeqytet, aty ku merren vendimet reale të shtetit?
VLEN-i, ashtu siç funksionon sot, është inferior brenda qeverisë, pa peshë reale vendimmarrëse, pa ndikim strategjik dhe më shumë si dekor sesa faktor. Pikërisht për këtë arsye, shndërrimi i tij në një parti të vetme bëhet domosdoshmëri.
Nëse nuk janë të aftë t’i shtyjnë përpara proceset e mëdha kombëtare dhe interesat e shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë, së paku të mos i marrin në qafë punonjësit shqiptarë nëpër institucione. Që nga hyrja e VLEN-it në qeveri, obstruksionet e ndërsjella, rivalitetet e brendshme dhe luftërat personale kanë prodhuar viktima kolaterale, administratorët shqiptarë, të cilët shpesh janë lënë peng i inateve ndërpersonale dhe përplasjeve politike brenda vetë VLEN-it.
Me një parti të unifikuar dhe me një kryetar të vetëm, të paktën do të ndërpritej ky kaos i brendshëm. Ndoshta proceset e mëdha nuk do të zgjidheshin, por të paktën punonjësit do të shpëtonin nga obstruksionet e ndërsjella dhe nga përdorimi i tyre si mish për top në luftërat e ego-ve politike.
Sidoqoftë, ne ju inkurajojmë të l’shoni pe…për të mirën e pop’llit!


