Granti prej rreth 300 mijë euro i akorduar disa vite më parë nga fondet IPA e që do të shërbejnë për të rikthyer në identitet shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Alfabetit, mbetet investimi i vetëm dhe më serioz për këtë institucion, pas vendosjes së figurave prej silikoni të firmëtarëve të Kongresit. Skelat që rrethonin objektin e Muzeut të Alfabetit në Manastir sapo janë hequr duke sinjalizuar kështu afrimin drejt fundit të projektit më të rëndësishëm për rikonstruktimin e këtij institucioni nacional me fondet e IPA. Sipas drejtorit Nuer Arsllani, derisa punimet do të përfundojnë për një muaj, ndërsa do të vazhdohet me arredimin e ambienteve të brendshme, pajisjen e tyre me aparaturat dhe aksesorët e nevojshëm për funksionin e muzeut. Rreth 70 për qind e fondit është përdorur për restaurimin dhe konservimin e godinës, ndërsa pjesa tjetër për pajisjen me rrjet komunikimi bashkëkohor, trajnimin e stafit, e të tjera.
Granti prej rreth 300 mijë euro i akorduar disa vite më parë nga fondet IPA që do të shërbejnë për të rikthyer në identitet ish shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Alfabetit, mbetet investimi i vetëm dhe më serioz për këtë institucion, pas vendosjes së figurave prej silikoni të firmëtarëve të Kongresit. Ndërkohë që ky muze nacional vazhdon të trashëgojë të njëjtat probleme të pazgjidhura ashtu si edhe 13 vjet më parë kur u hap. Mungesën e kuadrit, kontestin pronësor me ambientet e katit të parë. Në muze numërohen gjithsej gjashtë të punësuar, ndërkohë që mungon etnologu, albanologu, historiani. Sipas tij, kompletimi me staf të specializuar që do të mund të siguronte ecurinë normale të punës është emergjente për një institucion nga i cili presim të jetë në nivelin e të gjitha institucioneve të tjera nacionale në vend.
“Vazhdimisht insistoj që të bëhet një zgjidhje afatgjatë sa i takon ambienteve të katit të parë, të cilat i kemi me qera, edhe pse kjo është një opsion i momentit, por që nuk mund të vazhdojë kështu për një periudhë më të gjatë. Këto ambiente, për shembull, nuk arritëm që t’i bënim pjesë e projektit rikonstruktues sepse nuk janë në pronësi tonën. Po ashtu edhe mungesat kadrovike na vështirësojnë funksionim normal, jam drejtor dhe më duhet të ushtroj disa funksione, edhe si historian, jurist…”, thotë për KOHA, Arsllani.
Nga Ministria e Kulturës për këtë vit janë ndarë mbi një milionë denarë, ose gjysma e shumë së kërkuar nga Muzeu për realizimin e tre projekteve – botimin e materialeve reklamuese për muzeun, realizimin e programit edukativ me nxënës të shkollave “Të njohim historinë e alfabetit dhe trashëgiminë kulturore”, si edhe për blerjen e pajisjeve të nevojshme. Edukimi i nxënësve të shkollave është në fokus të aktiviteteve të këtij institucioni. Vitin e kaluar, por edhe gjatë këtij viti ky muze organizon vizita edhe në qendra të tjera të trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve dhe njohjen më nga afër të nxënësve me historinë shqiptare, si në qytete Korçë, Krujë, e të tjera. Godina e shtëpisë së e Alfabetit u hap në vitin 2007, një vit pas shpalljes së 22 nëntorit si Festë e Alfabetit të gjuhës shqipe, ndërsa dy vjet më vonë sipas një vendimi të Qeverisë, u shpall muze. (koha.mk)



