“E vërteta që dëmton është më e mirë se gënjeshtra që ndihmon.” – Proverb arab
Pse jemi kështu si jemi?!? Si duket vetëm për arsye se dëshirojmë të jemi “të mençur”ose “intelektualë” po humbim shumëçka: jemi duke lejuar çrregullimin, turpin, çmendurinë; jemi duke lejuar shkatërrimin jo vetëm të së ardhmes, por edhe të së kaluarës, sepse lejojmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë, krijojmë dhe rikrijojmë gjithçka, përpos të qytetëruarës dhe kulturuarës. Gjithçka mund të shkruajmë dhe të flasim, përveçse të vërtetës; edhe kur e flasim atë, këtë e bëjmë në kohën kur e vërteta kalon në një sferë tjetër. Përpos kësaj e kemi edhe atë alibinë “pse të flasim?”, ose “këta nuk marrin vesh gjë”, ndaj e kemi më lehtë të heshtim.
Paradoks: para disa ditësh Shkupin e goditën përmbytje dhe dëgjoja ankesat e ndryshme nga njerëzit që drejtpërdrejtë i vuajtën pasojat nga përmbytjet. Megjithatë, reagimi im i parë (pra i sinqertë) ishte: Kush na ka fajin që ndërtojmë pa leje, pa rregull edhe mbi pusetat (“shahtet”) e kanalizimeve dhe që ia zëmë frymën njëri-tjetrit duke i ngushtuar rrugët në mëhallët tona. S’do mend se skenat që shohim dëshmojnë shumëçka të parregullt, e jo vetëm këto që përmenda.
Paradoksi tjetër: lexova për një propozim që në Gazimestan të Kosovës u dashka “ndërtuar” histori e përbashkët me serbët karshi “dushmanëve” të përbashkët. Për hair na qoftë?!? Në këto kërcime që bëhen shpesh në mediat elektronike dhe të shkruara shqiptare, harrohet diçka që është shumë me rëndësi: kush janë ata që thonë dhe që kanë thënë ashtu? Janë pikërisht “nacionalistët” dhe “patriotët” shqiptarë, të cilët me mish e me shpirt krijuan urrejtje vetëm për diçka që i ndihmon pikërisht atij soji dhe i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë shqiptarët popull më të urryer në Ballkan. Kjo do të thotë se dikush neve na armiqëson me të tjerët, por edhe mes vete, e ne harrojmë të pyesim se kush janë ata!? Ky lloj kërcimi dëshmon papërgjegjësi kulturore, historike, fetare dhe diplomatike. Këta “tipa” jo vetëm që janë duke na e nxirë të tashmen dhe duke na e shkatërruar perspektivën për të ardhmen, por përpiqen të na prishin edhe me të kaluarën. Për këtë arsye diplomacia shqiptare është mbase më primitivja në Ballkan, e të mos flas për më gjerë.
Paradoksi i radhës: ç’të flas, ose si të flas për kulturën lutëse dhe falëse të xhamive, të cilat sa vijnë e po zbehen, thua se lutemi mbrapsht: jo për shpëtim, por për dënim, ta parafrazoj “turkun” Mehmet Akifi: “o Zot, ne kërkojmë liri – Ti na jep robëri / ne kërkojmë shpëtim Ti na jep zjarr…” (ose në rrethanat tona: ne kërkojmë shtëpi të Zotit, e fitojmë “xhami” private; ne kërkojmë të ndërtojmë shtet, e ndërtojmë shtëpi/pallate). Kjo që ndodh me xhamitë tona ma përkujton rastin e xhamisë që u rrënua me urdhër të Zotit, vetëm për arsye se ishte ndërtuar në emër të nifakut dhe populizmit. A nuk vërehet, a nuk nuhatet era e xhamisë së diraritedhe nëpër disa xhami të reja ku nëpërkëmbet e tërë tradita kuranore e profetike e xhamisë, ngase ajo është vend vetëm për sexhde dhe lutje/falje, e lejohet që të shndërrohet në sallon për aksh gjëra, të mos them “spektakle” të stilit “të shohim arushën si kërcen”. A nuk është kjo krizë kulturologjike e fesë dhe besimtarëve, apo a nuk i ngjan “fesë” së el-arabi, pa kulturë, pa urtësi, pa dije, pa dashuri, pa qetësi, pa devotshmëri, pa shpirt, pa mëshirë, pa udhëzim të cilën Islami fare nuk e do, Kur’ani nuk e bekon e koha nuk e duron? Kemi shumë gjëra që na rrethojnë dhe që dëshmojnë një mendësi të rrezikshme dhe kundërmuese.
Në traditën fetare është një thënie e urtë se në fillim ishte Fjala. Edhe pse ajo Fjalë u shndërrua në fjalën ikre dhe mbeti e regjistruar dhe e shkruar, ajo megjithatë ngeli Fjalë–kelamullah. Që atëherë Islami në mënyrë të pakthyeshme u ndërlidh me shkrimin dhe leximin. Ai në të vërtetë përhapej në rend të parë me fjalë dhe mesazh, por edhe tradita e të Dërguarit duhej regjistruar gjithashtu dhe asisoj të ruhej si shembull për të tjerët. Me fjalë të tjera, pa ndërmjetësimin e shkrimit Islami do të ishte i dënuar me zhdukje, ngase ai është në rend të parë fe e Librit dhe e shpalljes së mbinatyrshme. Nga mësimet e shenjta doli teologjia, ndërsa nga ajo një mori degësh shkencore të tjera. Pikërisht mbi atë shkrim/lexim në fakt mbështetet dhe duhet të mbështetet e tërë kultura njerëzore dhe, duke pasur parasysh se ne jemi popull që i përkasim “perëndimit”, kjo vlen edhe për kulturën europiane, pra edhe për Islamin edhe për Krishterimin, i cili edhe pse nga Lindja megjithatë u bë europian/perëndimor. Kushdo që sot dëshiron të jetë dhe të ngelë besimtar i Zotit, i edukuar dhe i udhëzuar, duhet jo vetëm ta njohë mirë Shkrimin e Shenjtë dhe teologjinë, por edhe gjithë atë që është rritur dhe zhvilluar bashkë me to. Këtu ne shqiptarët kemi një defekt të madh.
Në botën e shkencës dhe diturisë së shumëfishtë mezi se mund të imagjinohen besimtarë analfabetë apo gjysmë-analfabetë, ndonëse ka edhe të tillë, dhe kjo me shpëtimin e tyre personal nuk duhet të ketë edhe aq lidhje, por ka gjithsesi me shpëtimin e të afërmve të tyre që mosbesimin e tyre shpeshherë e themelojnë mbi interpretime të caktuara të shkencës dhe diturisë. Të jetohet dhe dialogohet me botën mund të bëhet përmes kulturës, ligjërimit dhe shkrimit, ndaj ai që heq dorë nga dialogimi që më parë është i dënuar me heshtje dhe zemërngushtësi. Feja që në deklarimin e vet nuk do të shkonte të paktën në hap me kohën moderne (këtu nuk e kam fjalën për dukuritë devijante, që në të vërtetë nuk janë “sajesë” e modernizmit), vështirë se do të mund t’i thoshte apo porosiste diçka koherente apo domethënëse njerëzve të asaj kohe. Që aty edhe mosmarrëveshjet e shumta dhe nevoja e ngutshme që feja të rithuhet në të folurit e njeriut të sotëm. Në të kundërtën flitet kot dhe nuk arrihet kurrë jehonë tek ata të cilëve u është drejtuar fjala. Prandaj ka nga besimtarët sot që e kanë kuptuar deri në fund domethënien e madhe dhe të pakapërcyeshme të mendimit njerëzor dhe të formave të tij të të shprehurit. Në epokën tonë të modernitetit dhe pasmodernitetit Islami analfabet apo gjysmë-analfabet jo vetëm që i turpëron bartësit e vet, por aq më tepër i vë ata në pozitën e prapambetjes historike dhe tepricës së përgjithshme kulturologjike. Ligjërimi, apo të folurit, që kuptohet pak është në rend të parë ligjërim që nuk pranohet nga njerëzit dhe të cilin ata e flakin.
Përkundër asaj që për fenë mirësia aktive është dëshmia e parë dhe e pakompensueshme e besimit, jo më pak me rëndësi për të është edhe dëshmimi i Fjalës së Zotit, e cila përmes kulturës u është bartur njerëzve të çdo kohe dhe të çdo hapësire. Fatkeqësisht, në rrethanat tona të brendshme ligjërimi i tillë i veçantë i fesë ka arritur në një krizë serioze dhe thuajse të pashpresë. Arsye gjithsesi ka më shumë, edhe pse të gjitha mund të reduktohen në vetëm një: superioriteti i ligjërimit politik ndaj të tjerëve. Viteve të fundit aq shumë u forcua ndër ne mënyra politike e të menduarit dhe të shprehurit, saqë krejtësisht i përjashtoi të tjerat, madje edhe atë tipike fetare. Gjithçka vlerësohet dhe shikohet nga kuti politik ndaj edhe ka aq vlera sa ka në të politizim. Kultura, e drejta, arti, kujdesi shoqëror, shkenca, ekonomia dhe religjioni janë në të vërtetë po aq të dënuar me margjinalitet dhe humbje të rëndësisë. Asgjë jashtë politikës nuk ekziston dhe vështirë se diçka mund të mbijetojë pa ndihmën e saj, që nga ana tjetër në një mënyrë imponuese i ngjason rendit komunist në të cilin politika ishte po ashtu profesioni njerëzor kryesor dhe më fitimprurës. Nëse gjithçka reduktohet në politikë dhe politikanizëm, atëherë njësoj e tillë bëhet e gjithë jeta njerëzore. Prandaj jeta detyrimisht do të mbushet me armiq, ndërsa urrejtja do të futet në çdo ndjenjë njerëzore. Është më kot të shkruhet për teologjinë, historinë, filozofinë, sociologjinë apo psikologjinë kur nën çdo deklaratë gjendet e fshehur dhe pashmangshmërisht e pranishme radhitja ideologjike, e jo dëshira për objektivitet. Për një çast duket sikur gjithçka tek ne është e rrejshme, e padobishme, mashtruese dhe boshe, përveç politikës. Në atmosferën e tillë shoqërore edhe ligjërimi për Zotin dhe ligjërimi i Zotit bëhen njëlloj subjekt të vlerësimit politik për dobinë, e jo për ofrimin për lirinë për shpëtim të njeriut. Pra, del se kush nuk flet politikisht, i harxhon fjalët kot.
Kjo ulje për toke e kuptimit të fjalëve është realizuar në veçanti në përditshmërinë tonë mas-mediatike, e cila në vete e ka përthithur tërë kulturën e popullit, duke e varfëruar atë deri në fraza dhe skandal. E gjithë ajo që ndodh në shoqëri ka gjetur shprehjen e saj më të shkurtër pikërisht tek gazetat dhe televizioni, por edhe interneti. Tjetërkund mezi se jeton dhe se ka ndonjë ndikim. E meqenëse në shoqërinë tonë ndodh vetëm politika, nuk është kurrfarë habie që tek ne mjetet e informimit janë të mbushura vetëm me politikë. E kur shkruhet për diçka tjetër, kjo bëhet gjithnjë në funksion të interesit politik. Kemi fituar politikën – thënë më mirë politikanizmin – dy herë të shtrydhur: fillimisht me reduktimin e gjithçkaje në politikë, e pastaj me reduktimin e asaj politike në gazetari politike sensacionale. Thjeshtësim më të madh ma merr mendja se nuk ka. Gjithçka është deri në fund e qartë dhe e thënë: duhet vetëm radhitur në mënyrë fanatike dhe gjithçka tjetër lehtë dhe shpejt do të shtohet. Nga ana tjetër, njerëzve gjithnjë e më shumë u interesojnë vetëm lajmet politike të ngjeshura në shkurtësinë dhe përmbledhjen mediale. Prandaj të gjithë jemi bërë konsumatorë të çmendur dhe maniakë të portaleve dhe pamjeve televizive. Natyrisht që ndërmjet suksesit të gazetarisë së lirë politike dhe kërkesës së stërmadhe për gazetarinë e tillë ka një marrëdhënie e ndërsjellë shkakore: njëra ushqehet dhe nxitet me tjetrën. Që aty edhe njohja brengosëse se tek ne gjithnjë e më pak lexohen libra seriozë dhe revista profesionale. Kjo është në fakt edhe arsyeja që kultura dhe shkenca shqiptare një periudhë të gjatë kanë rënë në nivelet më të ulëta të mundshme: kiç, vetëlavdërim i thjeshtë, afishe, moto, dënim i furishëm dhe urrejtje e hapur. Helmet më të rrezikshme nga qërimi i hesapeve politik u zgjeruan edhe mbi sferat e tjera të veprimtarisë njerëzore. Më tepër çmohen ata që bëjnë zhurmë, që promovojnë lakuriqësinë fizike dhe kulturore, që me pashpirtësi i dënojnë të tjerët dhe përhapin mosdurim, sesa ata që mendojnë, që i kërkojnë shkaqet e ndodhive dhe i qetësojnë pasionet. Gjysmë-analfabetizmi shkencor dhe mungesa e kulturës janë rrezik i madh për shoqërinë tonë, pasojat e së cilës kanë filluar tashmë të ndjehen, por që do të ndjehen tërësisht në një të ardhme të afërt. Populli që fenë, shkencën dhe kulturën i ka reduktuar në politikë, vështirë se mund të presë një të nesërme më të mirë.
Kjo mendësi e sëmurë dhe shkatërrimtare e politikanizmit dhe i nevojës së njëkohshme për kulturë të ulët gazetarie është futur edhe në institucionet fetare dhe është përhapur ndër anëtarët e tyre zyrtarë dhe jozyrtarë. Besimtarët njësoj si të tjerët lexojnë gazeta dhe i nënshtrohen të njëjtës psikozë të sensacionalizmit politik dhe radhitjes gnostike. Kësisoj në mesin tonë është futur mendimi i thjeshtësuar dhe i gabuar se e gjithë e liga është tek të tjerët, ndërsa e mira tek ne, ndaj nëse i shkatërrojmë ata të tjerët, gjoja në shoqëri do të mbisundojë gëzim i madh dhe lumturi absolute. Është kjo po e njëjta matricë e komunizmit e zbatuar mbi fetarët. Që aty edhe kërkimi me padurim pas armiqve dhe “vrasja” militante e tyre, në vend të gjetjes me durim të ithtarëve dhe nxitja për të mirë. E pikërisht këtu diku ngjizet dhe gjen folenë interpretimi politik i religjionit si aleate e dobishme në garat pastërtisht të përbotshme dhe ideologjike, për të cilin qëndrim natyrisht se nuk ka kurrfarë mbështetje tek porosia burimore e fesë. Nëse muslimanët nuk mund të jenë gjithmonë të mirë si shenjtorët – evlijaullah – ngaqë kjo vërtet nuk është e lehtë – megjithatë mund të bëhen të paktën njohës të arsyeshëm dhe qëllimmirë të kulturës dhe shkencës, të vetës dhe të huajës. Është më mirë të qenit gjysmak në virtyte sesa t’i shitet shpirti demonëve të urrejtjes politike. Ndërsa kriza e cekur kulturologjike e fesë, ose e institucionit fetar, në masën më të madhe ua hap dyert rezultateve të tilla të disfavorshme. Prandaj muslimanët duhet që një çast e më parë t’i kthehen kulturës së ligjërimit, kulturës së shkrimit dhe kulturës së të menduarit. Sipërfaqësia mund të na shpijë vetëm drejt cekëtinave dhe pashpresisë së mëtejme në të cilat gjendemi sot, të llojit el-arabi (beduin).
Termi el-arabi, përmendet në Kur’anin Fisnik në të njëjtën sure et-Teube (Pendimi) në dy kontekste: “Beduinët (el-arabu) janë mosbesimtarë dhe hipokritë më të flaktë… Ka edhe beduinë (el-arabi) të tillë që besojnë Allahun dhe besojnë në Botën tjetër…” (et-Teube: 97, 99). Por, për një sqarimin më të mirë të asaj që dua ta them me duhet gjithsesi ta parafrazoj një rast që ka ndodhur në kohën e hazreti Muhammed Mustafasë (a.s.) kur i ka ardhur një beduin që pasi ka kryer nevojën e vogël pranë xhamisë i është drejtuar Pejgamberit a.s. duke e pyetur se ç’duhet të bëjë për ta fituar xhenetin. Pas shpjegimit nga Pejgamberi a.s. se duhet të mos i bëjë shok Zotit dhe t’i kryejë obligimet themelore të fesë, ky është betuar me Zotin se do t’i kryejë ato. Pra, ne duhet gjithsesi ta kapërcejmë këtë dimension dhe të futemi në sferën e besimtarit të kulturuar dhe të lartësuar me pajisjen e Fjalës që ishte në fillim. Mençuria jonë duhet t’i kapërcejë dimensionit e llojit el-arabi/katundarit (jo fshatarit) që tërë jetën mundohet ta jetojë duke u mbështetur mbi forcën e xhepit dhe trupit, mashtrimit dhe kokëfortësisë, çallëmit dhe që kudo që shkon dhe vendoset e merr me vete tendën/katundarinë/mendësinë e vet. Islamin tonë duhet ta dëshmojmë si besimtarë me edukatë shpirtërore, kulturore, që kur ecim atë ta bëjmë me lehtësi, me hijeshi dhe me pastërti dhe të flasim pak, por të themi shumë, d.m.th. të bëhemi pjesë e Medines së Pejgamberit a.s., kur edhe Jethribi mori emrin Qyteti/Medine (pra qytetërim, e kundërta nga beduin). Pra, t’u paraprijmë gjërave e të mos presim përmbytjet që të na e nxjerrin në mejdan “arabillëkun” tonë.
‘Id el-Fitr 2016