Ai e vlerëson si shumë të gabuar politikën e subvencioneve, e cila, sipas tij, i ka bërë shumë kompani sterile dhe të paafta të përballen me ritmin e ekonomisë, në kohën e krizës së madhe ekonomike botërore.
Sipas tij, zgjidhja qëndron në tregun e lirë, në forcimin e konkurrencës, që më pas mundëson çmime më të lira.
“Për këtë nuk mund të akuzohen inspektoratet apo institucionet që dalin në terren dhe bëjnë monitorimin, por çfarë nëse këtë e bëjnë kur formimi i çmimeve është në dorë të prodhuesit. Ata mund të bëjnë manipulime në çmime dhe nuk mund të kapen. Prandaj çmimi duhet të diktohet çdo herë nga tregu i lirë…”
“Konkurrenca e mirë, e shëndoshë, është ajo që neve na nevojitet për një ekonomi kaq të vogël që e kemi në shtetin tonë”, thotë Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Borçe Trenovski, thotë se për të mos ardhur në situata të tilla, shteti duhet të hartojë politika dhe masa ekonomike, së bashku me sektorin e biznesit.
“Kufizimi i çmimit dhe ndalesat administrative janë masa kur paraqitet një histeri në rritje të çmimeve dhe kështu përpiqesh ta eliminosh përkohësisht, por në afat të gjatë nuk funksionojnë. Nëse vazhdojnë të bëjnë presion ndaj kompanive, të cilat kanë rritje të shpenzimeve, atëherë ato do të ulin sasitë, do të ulin cilësinë, ofertën e kështu me radhë. Kjo nuk është zgjidhje e problemit”, tha Borçe Trenovski, profesor universitar.
Sipas Trenovskit, edhe pa masa “të forta”, çmimet do të ndalojnë së rrituri, sepse gjendja në nivel global ka filluar të stabilizohet.
Ai thotë se problemi duhet të zgjidhet me dialog mes dy palëve, pasi shpenzimet për bukën mund të jenë ulur, por kompanitë do të përballen me probleme tjera, si mungesa e fuqisë punëtore, rritja e pagës minimale e kërkesa tjera./REL