Përfaqësuesi i Ambasadës së ShBA-ve, Gazmend Ilazi, tha se ky prezantim bëhet me qëllim që studentët dhe profesorët të njihen më nga afër me këtë program dhe mundësitë e aplikimit për bursat e shpallura nga Ambasada e ShBA-ve në Maqedoni.

Është pra një mundësi e mirë për të studiuar një semestër në universitet e ShBA-ve për studentët e vitit të parë dhe të dytë master, si dhe për nxënësit e shkollave të mesme nga mosha 16 dhe 18 vjeçare.
“Kemi bërë prezantimin e bursave të cilat ofrohen nga Ambasada amerikane. Për momentin janë katër shpallje për aplikime në bursat e ndryshme. Ka një mundësi për studentët të cilët janë të vitit të parë, të dytë, të bëjnë studime njësemestrale në ShBA, mundësi studimi pasuniversitar, bursa ka edhe për profesorë në shtatë institute amerikane dhe një mundësi tjetër edhe për nxënësit e shkollave të mesme nga mosha 16 dhe 18 vjeçare. Të gjitha këto bursa janë të shpallura në ueb faqen tonë dhe disa nga këto bursa janë të shpallura edhe në faqen e Ministrisë së Arsimit”,- deklaroi përfaqësuesi nga Ambasada e ShBA-ve, Gazmend Ilazi.

Programi Fulbright u mundëson studentëve të studimeve pasdiplomike, ekspertëve të rinj dhe artistëve nga jashtë që të mësojnë dhe studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të qenë pjesë e programit Fulbright për studentët e huaj, kandidati duhet t’i ketë të kryera studimet deridiplomike dhe të ketë diplomë ekuivalente me diplomën baçelor.
Të gjithë ata që do të aplikojnë për të fituar bursat nga Ambasada e Amerikës për një semestër studimi në ShBA, harxhimet do t’iu mbulohen nga Ambasada e ShBA-ve në Maqedoni.
Afati i fundit për pranimin e aplikimeve është deri më 31 dhjetor 2017.