Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nga dje është për një vizitë pune në Pragë, Çeki. Në kuadër të vizitës, sot në mëngjes së bashku me ministren e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, realizoi takim me ministrin çek të Industrisë dhe Tregtisë, Lukas Vlçek, ndërsa pas takimit patën fjalim të tyre në Forumin e Biznesit Maqedoni-Çeki, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
“Takimi me ministrin Vlçek u fokusua në bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik dhe interesimi për promovimin e mëtejshëm të tij. Në këtë rast, u theksua rëndësia e takimeve të mëparshme të Komitetit të Përzier pas Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik dhe Industrial ndërmjet dy vendeve, si dhe shkëmbimi i mendimeve për nisma dhe aktivitete konkrete që do të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ekonomike”, thuhet në kumtesë.
Në kuadër të Forumit të Biznesit Maqedoni-Çeki, ministrat Mucunski dhe Bozhinovska, së bashku me ministrin çek Vlçek, i kanë prezantuar mundësitë për investime në të dyja shtetet.
“U prezantuan iniciativat e Qeverisë së Maqedonisë për përmirësimin e klimës së biznesit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxitjen e eksportit. Gjithashtu u theksuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe projekte investuese në mënyrë që vendi të bëhet destinacioni i radhës për investime të huaja direkte, të cilat do të kontribuojnë në një partneritet ekonomik të forcuar mes dy vendeve”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.