Eksporti i Maqedonisë në maj të vitit 2025 shënoi rritje prej 23,44 për qind, ndërsa për pesë muajt e parë të vitit rritja ishte 3,15 për qind. Në të njëjtën periudhë, importi është rritur për vetëm 1 për qind, që tregon për një bilanc tregtar stabil dhe një bilanc pozitiv, publikoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
“Të dhënat tregojnë për eksport dukshëm më të lartë se import – që do të thotë më shumë kapital të freskët në vend, një pozicion të forcuar valutor dhe një nxitje shtesë për rritje ekonomike. Rritja e eksportit krijon vende të reja pune, forcon prodhimin vendas dhe rrit konkurrueshmërinë e produkteve të Maqedonisë”, ka shkruar Mucunski në rrjetet sociale.
Të dhënat, sipas Mucunskit, e konfirmojnë efektin e politikave ekonomike të Qeverisë, dhe se “edhe në kushte ngecjeje në tregun evropian, vendi ka trende të qëndrueshme dhe pozitive të eksportit”.