Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, deklaroi se aktualisht Bullgaria nuk shfaq interes për dialog, ndërsa vullneti për të ndihmuar ekziston te Bashkimi Evropian dhe te disa shtete anëtare që kërkojnë të nxisin procesin drejt një zgjidhjeje.
Ai theksoi se objektiv i paplotësuar i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, por gjatë 30 viteve shteti përballet me bllokada të padrejta.
“Ka vullnet në BE dhe te disa vende anëtare për të ndihmuar në zhvillimin e dialogut drejt një zgjidhjeje. Qytetarët mund t’i siguroj se qëndrimet e Qeverisë janë të qarta dhe nuk do të pranojmë asnjë lëshim që cenon identitetin tonë – gjuhën dhe historinë. Për fat të keq, në këtë moment nuk ka gatishmëri për dialog nga Bullgaria, por sinqerisht shpresoj se kjo do të ndryshojë”, tha Muçunski.
Ai shtoi se bllokimi i procesit të integrimit dëmton para së gjithash Maqedoninë e Veriut, por humbje ka edhe Bullgaria, e cila, sipas tij, po humb kohë në vend që të ketë një fqinj sa më shpejt anëtar të BE-së.
“Duhet të gjejmë mënyrë për ta çliruar këtë proces, gjithmonë brenda parimeve tona. Edhe Bullgaria ka interes politik, ekonomik dhe kombëtar që të ketë pranë një vend anëtar të BE-së. Besoj se racionaliteti do të mbizotërojë edhe te fqinjët tanë”, u shpreh ministri në një intervistë për Sitel.
Sa i përket dilemes nëse vendi është më afër rekonstruksionit të qeverisë apo zgjedhjeve të parakohshme, Muçunski tha se aktualisht skenari më i mundshëm janë zgjedhjet parlamentare të rregullta.
Ndërsa duke komentuar të ashtuquajturat “bomba” të publikuara nga LSDM, ku akuzohen funksionarë të VMRO-DPMNE për korrupsion, Muçunski akuzoi LSDM-në se prej kohësh po përhap narrativ të rremë dhe dezinformata me qëllim manipulimin e opinionit publik.


