Në korrik të këtij viti është ngritur aktakuzë ndaj 5 anëtarëve të grupit kriminal të grupit Duqanxhik/Grçec për trafik kokaine dhe vrasje të dyfishtë. Më herët policia ka shpallur Sheval Muaremin si drejtues të këtij grupi. Është kërkuar me flet-arrest ndërkombëtar. Për emisionin “KOD” të gazetares Snezhana Lupevska, ai ka treguar anën e tij të historisë. Pretendon se nuk ka asnjë provë për të.
Sheval Muaremi refuzoi të jepte deklaratë përpara kamerës, por bisedoi me Lupevskën, me të cilën edhe u fotografua. Gjatë bisedës, ai deklaroi se aktualisht punon në një kompani kompjuterike.
Sa i përket akuzës për vrasje në Matkë të një shtetasi shqiptar që prokoruria e ngarkon atë, Muaremi për KOD ka thënë se ne ato data nuk ka qenë fare në RMV: “Në atë kohë, në muajin e tretë të vitit 2020, kalova pikën kufitare Kriva Pallankë, më pas shkova në Sofje dhe më 4 mars isha në Madrid. Të nesërmen, më 5 mars, shkova në Brazil dhe qëndrova atje gjatë koronës. Si e vrava kur nuk isha në Maqedoni? Gjykata kërkon që këto pretendime të vërtetohen. Kjo procedurë ndaj meje duhet të ndërpritet”.
Ai për KOD ka thënë se aplikacioni “Skyecc” është vetëm indicie e jo provë, dhe se këto akuza ia kanë bërë dy drejtues të lartë të policisë në RMV, të cilët tashmë janë suspenduar nga detyra.
Ai pretendon se është larguar për në Dubai gjashtë muaj përpara se të shpallej fletarresti për të. Muaremi shpjegoi se jeton në një vilë së bashku me një mik të tij nga Shqipëria dhe se puna e tij në kompaninë teknologjike i siguron të ardhura të qëndrueshme.