Ministria e Shëndetësisë kumtoi se ende është duke vijuar epidemia e fruthit në territorin e mbarë vendit. Numri i përgjithshëm i personave të vaksinuar të moshës deri 14 vjeç me vaksinë MRP prej fillimit të epidemisë në mbarë republikën është 41.623.
Prej fillimit të epidemisë, deri më tani, në qendrat e shëndetit publik, plotësisht janë aplikuar 6.291 doza vaksine, prej të cilave mbi 60 për qind janë punonjës shëndetësorë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të mjekësisë, ndërsa të tjerët janë persona të moshës mbi 14 vjeç. Mbeten në fuqi masat e rekomanduara paraprakisht, të cilat i ndërmarrin qendrat e shëndetit publik, Instituti për shëndet publik, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor dhe shërbimet vaksinuese në pikat për vaksinim, me theks të posaçëm të vaksinimit të të gjithë personave të ndjeshëm, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.



