Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas informacioneve të publikuara në shumicën e mediave serbe, për një vrasje të trefishtë në Bolivi, ku dyshohet se një nga viktimat është shtetas i RMV-së.
Nga MPJ bëjnë të ditur se Ambasada e RMV-së në Brazil është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Bolivisë në Brasilia.
“Lidhur me raportimet në mediat serbe në lidhje me vrasjen e tre personave në Bolivi, nga të cilët, sipas informacioneve të medias, dy janë shtetas serb dhe një maqedonas, ju informojmë se Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Brazil është në kontakt me Ambasadën e Bolivisë në Brasilia.
Për të konfirmuar identitetin e viktimave, pritet përfundimi i autopsisë, e cila është ende në vazhdim.
Pas marrjes së informacionit zyrtar nga autoritetet boliviane në lidhje me identitetin e viktimave dhe rrethanat e ngjarjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të informojë më tej publikun”, thuhet në reagimin e MPJ-së.(INA)