Alsat 2019-08-29T15:23:28+02:00
Grupi i punës në MPB nisi aktivitetin për zbatimin e vetingut në këtë dikaster. Për të gjithë të punësuarit në MPB, raport do të kërkohet nga disa Institucione: Policia Financiare, Drejtoria e të hyrave publike, Kadastra, Anti-korrupsioni dhe Prokuroria. Vettingu, apo pastrimi i brendshëm në MPB pritet t’i prekë të gjithë, duke u nisur edhe nga vet ministri Spasovski.
Dekan i Fakultetit të Sigurisë, i kyçur në këtë grup si ekspert i jashtëm Nikolla Dujovski tha se në procesin e vetingut nuk duhet të përfshihen vetëm uniformat blu, por edhe nga të gjitha organet tjera shtetërore, të cilat mund të keqpërdorin paranë publike dhe detyrën zyrtare.
Qëllimi i vetingut është që të kontrollohen të punësuarit në MPB në disa drejtime. Së pari, arsimimi i tyre, gjendja e tyre financiare dhe e pasurisë së patundshme, por edhe pjesa më e rëndësishme integriteti i policit sipas vlerësimit të punës së tyre gjatë shërbimit dhe përfshirja e tyre në organizata kriminale, duke shpërndarë informacione të fshehura me ata persona që nuk janë të autorizuar, etj – tha Nikolla Dujovski, ekspert i sigurisë.
Takimi i radhës së grupit të udhëhequr nga Ministri Oliver Spasovski do të jetë pas një jave. Dujovski zotohet se do të mbeten profesional pa u ndikuar nga politika apo nga grupet tjera të interesit.
Varësisht nga propozimet se cili koncept do të vërtetohet, ndoshta do të jetë e duhur sjellja e një ligji të ri apo ndryshime dhe plotësime të ligjeve ekzistuese, madje edhe të predispozitave nënligjore që do të rregullojnë procesin e vetingut. Megjithatë, MPB nuk mund të udhëheqë e vetme, por Qeveria është ajo që kujdeset për kredibilitetin në opinion dhe ata do të zbatojnë programe të ndryshme – tha Nikolla Dujovski, ekspert i sigurisë.
Në takimin e parë të grupit të punës morën pjesë edhe përfaqësues të Sindikatës së policisë, OSBE-së, Ambasadës Amerikane dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.
Me qëllim që të sigurohet transparenca dhe përfshirja e plotë e të gjitha subjekteve, të cilat mund të kontribuojnë në definimin e procesit, Grupi i punës përbëhet nga të punësuarit në MPB, Sindikata e policisë maqedonase, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare OSBE dhe Ambasada e SHBA-së, sektori joqeveritar dhe ekspertë të jashtëm – theksoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Në fund të muajit korrik nevoja për veting në MPB mori dritë jeshile në seancë Qeveritare. Grupi i punës, pritet që deri më 1 tetor të përgatis propozim planin i cili do të parashtrohet në Qeveri për miratim.
Adnan Qaili
Loading…


