25 March
Njëzet ditë pasi Alsat M pyeti autoritetet kompetente se si është vlerësimi mbi sigurinë në shtet, Ministria e Brendshme u përgjigj me shkrim ku thuhet se aktualisht gjendja e sigurisë është e qëndrueshme. Nga ky dikaster theksojnë se pavarësisht ngarkesës së punës që del nga tubimet e përditshme qytetare, policia ka për qëllim ruajtjen e sigurisë së qëndrueshme publike.
Prioritetet që janë identifikuar me vlerësimin strategjik të Byrosë për Siguri Publike, si dhe situata aktuale politike në vend, gjendjen e sigurisë e vlerësojmë stabile, ndërsa policia ka për qëllim arritjen e objektivave prioritare për ruajtjen e stabilitetit të sigurisë publike – njoftojnë nga MPB-ja.
Lidhur me vërejtjet në publik mbi veprimet e ndryshme të policisë gjatë protestave të “Revolucionit shumëngjyrësh” dhe të iniciativës për “Për Maqedoni të përbashkët”, nga Ministria e Brendshme thonë se renditja e forcave policore për çdo protestë bëhet në bazë të vlerësimeve të tyre të rrezikut.
Sipas Rregullores për mënyrën e kryerjes së punës së policisë, policia është e detyruar të përgatisë Plan të sigurisë, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe të dhënave që i ka në dispozicion, si situata e konstatuar, zhvillimet e pritshme, përvojat e fituara nga praktikat e mëparshme dhe hapësira ku duhet të kryhet puna e policisë – theksojnë nga MPB-ja.
Që nga fillimi i protestave të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, e cila praktikisht qëndron në mbrojtje të VMRO-DPMNE-së, disa ekspertë akuzuan për jo-profesionalizëm dhe standarde të dyfishta të forcave policore të cilët gjatë protestave të opozitës në disa raste dolën me automjete të blinduara dhe bllokuan një pjesë të rrugës për marshim të protestuesve, ndryshe nga protestat e tanishme, ku nuk vërehet një gjë e tillë. Drejtori i Byrosë për siguri publike atëherë dhe tani është Mitko Çavkov, kuadër i VMRO-DPMNE-së.
Alsat-M

