
Ekipet speciale të MPB-së dhe ARM-së kanë realizuar sot stërvitjen përfundimtare nga trajnimi për neutralizim të grupit armiqësor, të realizuar me instruktorë nga njësitet speciale të SHBA-së. Stërvitjen e kanë përcjellur ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, i Mbrojtjes Zoran Jolevski dhe ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli, të shoqëruar nga gjeneralë të armatës dhe policisë. Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, theksoi se mbështetja profesionale dhe trajnimi i suksesshëm paraqesin momente kyçe për detyrimet ligjore të policisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme, ka kapacitet që ta realizojë të gjitha kompetencat e lëndëve në raport me sigurinë publike dhe shtetërore, ndërsa pikërisht këto trajnime paraqesin elemente kyçe që këto aktivitet të jenë në linjë sinergjike me standardet thelbësore”, ka thënë Agim Nuhiu, ministër i Punëve të brendshme.
Ministri i mbrojtjes Zoran Jolevski, tha se ky trajnim është i pari nga 27 të planifikuarat që duhet të realizohen me partnerët nga SHBA-ja edhe me njësitet tjera.
“Është vendosur bashkëpunim i mirë me Komandën për operacionet speciale të NATO-s, ndërsa gjithashtu edhe me Komandën e SHBA-së në Evropë. Vitin e kaluar kemi pasur pjesëmarrje të regjimentit tonë për operacione speciale në stërvitje në Gjermani, por marrim pjesën edhe në stërvitjen më të madhe ushtarake “Anakonda”, ka deklaruar Zoran Jolevski, ministër i mbrojtjes.
Stërvitja, sipas ambasadorit Bejli është rezultat i bashkëpunimit trilateral nga ana e njësiteve speciale amerikane nga komanda evropiane.
“Kjo po ashtu është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Maqedonisë dhe SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, që paraqet kërcënim edhe vendor edhe ndërkombëtar. Përmes trajnimit të përbashkët të armatës dhe policisë rriten aftësitë e tyre”, ka deklaruar Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-së
Ambasadori Bejli e potencoi edhe mbledhjen e NATO-s e cila duhet të mbahet këtë javë në Bruksel, ku ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë për partneritetet dhe si të bashkëpunojnë më së miri në luftën kundër terrorizmit. Kjo stërvitje, është e para nga tre trajnimet tjera që do të zbatohen gjatë vitit për MPB-n dhe ARM-në.
Mefail Ismaili /SHENJA/
MPB dhe ARM përfundojnë stërvitjen e përbashkët… by tvshenjaofficial

