Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11 raste të dhunës në familje, ndërsa katër persona janë privuar nga liria.
Rastet janë raportuar në disa qytete, përfshirë Tetovën, Shkupin, Ohërin dhe Strugën, dhe përfshijnë sulme fizike, kërcënime dhe keqtrajtime. Në mesin e tyre është një rast në zonën e Pehçevës ku një grua dhe vajza e saj e mitur dyshohet se janë sulmuar nga ish-bashkëshorti, si dhe disa raste në Tetovë ku persona janë arrestuar për kërcënime dhe dhunë ndaj bashkëshorteve.
Në Shkup janë raportuar kërcënime, sulme fizike dhe një rast më i rëndë, ku një grua pretendon se është mbajtur me forcë dhe dhunuar nga ish-partneri i saj, nga i cili ka arritur të arratiset dhe ta denoncojë rastin.
Policia njofton se po punon për zbardhjen e plotë të rasteve dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo formë dhune.

