10 Dhjetor 2018 / 14:02
Në seancën e sotme për rastin “Monstra” dhanë deklaratë ekspertët e balistikës dhe mjekët e Mjekësisë ligjore. Profesori i Institutit të Mjekësi Ligjore, Zllatko Jaqoski para gjykatës tha se ai dhe profesoresha Biljana Janevska atë natë kanë qenë për ekspertizë në vendin e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.
“Pesë viktimat janë vrarë ku janë gjetur dhe në periudhë të shpejtë kohore”, tha Jaqoski, duke shtuar se viktimat kanë vdekur nga më shumë plagë të shkaktuara nga armë zjarri, gjë që tregon se vendi i ngjarjes ka qenë pikërisht aty.
Jaqoski tha se trupi i peshkatarit Borçe Stefanovski është gjetur pranë automjetit me fytyrë të kthyer nga automjeti, ndërsa në duar ka pasur çelësa. Në kofanon e automjetit është gjetur një ind truror.
Familjarët e djemve dhe peshkatarit të vrarë nuk morën pjesë në seancën e sotme, pasi, siç theksuan paraprakisht, është shumë e dhimbshme për ta dhe nuk do të mund t’i ndjekin dëshmitë.
Loading…


