Opozita protestoi dje për gati 4 orë kundër qeverisë, duke nisur kështu ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka.
Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov.
Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh gjithashtu molotov.
Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Partisë Socialiste e cila ishte një nga institucionet ndaj së cilës u hodh më shumë molotv duke djegur edhe banderolën në katin e sipërm me portretin e kryeministrit Rama.
Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi rreth orës 22:00, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Për shkak të hedhjes së molotovëve, Policia e Shtetit njoftoi se 12 efektivë pësuan dëmtime.
Protestuesit shkatërruan edhe reklamat e vendosura në rrugë.
Bllokime pati edhe për dy autoambulanca, që nuk u lejuan prej protestuesve të kalonin.
Ndërkohë, pas protestës, nëpër institucionet ku u hodh gaz lotsjellës, grupet hetimore të policisë nisën mbledhjen e provave materiale në vendngjarje.
Ndërsa në afërsi të Bashkisë së Tiranës u sekuestruan rreth 15 shishe me molotovë të ndara në dy çanta.
Gjatë protestës u raportua nga policia se u dëmtuan 12 efektivë.