Një histori e fuqishme që trajton betejën e një prindi për shkollimin e vajzës së tij vjen në ekranin e madh përmes tregimit filmik “Mohimi”, një projekt kinematografik që hedh dritë mbi sfidat dhe mentalitetet e së kaluarës.
Nën regjinë e Musa Ishfit, me skenar të Shkëlqim Islamit dhe të prodhuar nga Driton Ramadani, ky film sjell një rrëfim emocional që prek një temë të ndjeshme – mohimin e shkollimit të vajzave si pasojë e stereotipeve dhe mentalitetit të kohës.
Në rolet kryesore spikasin aktorët Sefedin Shabani dhe Dea Shabani, të cilët sjellin në jetë figurat e Demirit dhe Dritës, duke pasqyruar përpjekjet e një babai për të sfiduar kufizimet e shoqërisë dhe për t’i siguruar vajzës së tij një të ardhme më të mirë.
Filmi pritet të sjellë emocione të forta, duke reflektuar mbi të kaluarën dhe duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për të drejtat dhe barazinë në arsim.