16 August 2018 / 15:52
Njëqind e njëzet e tetë kompani vendase morën rreth 400,000 euro nga shteti për të përmirësuar konkurrueshmërinë e sektorit privat, për të cilën ka vendosur një komision i posaçëm. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, siguron se do të ketë kontroll në terren nëse realizohen bizneset dhe investimet e njoftuara. Por, përveç kritereve themelore për marrjen e parave nga arka e shtetit, siç janë tatimet e paguara, numri i të punësuarve, plani i biznesit, nga Ministria e Ekonomisë, ndonëse me mësim të nxjerrë nga skandali i Fondit të Inovacionit, nuk kanë kërkuar një deklaratë mbi strukturën e pronësisë së kompanive. Ministri Bekteshi thotë se nëse është e nevojshme do ta dorëzojë listën e kompanive që kanë marrë ndihmë shtetërore.
Ne nuk kërkuam deklaratë nga kompanitë nëse kanë funksionarë në strukturën e tyre të pronësisë sepse procedurat tashmë ishin përfunduara dhe komisioni i solli vendimet një muaj më parë. Sa i përket konfliktit të interesave, për mua personalisht mund të them që asnjë nga të afërmit ose familjarët nuk ka aplikuar për këto masa – tha Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Këto janë vetëm një pjesë e parave të siguruara për kompanitë e vogla dhe të mesme të cilat ministria përkatëse i ofron këtë vit. Ka ende rreth 200,000 euro në dispozicion nga masat tjera të qeverisë. Për ato firma që do të aplikojnë dhe nuk do të marrin para, ato do të mbështeten nga një rishikim i mundshëm i buxhetit.
Këtë vit ka shumë aplikime dhe në të njëjtën kohë shumica e kompanive i plotësojnë kushtet. Këto masa janë krijuar në përputhje me të gjitha Odat Ekonomike dhe me të gjithë sipërmarrësit në Maqedoni – theksoi ai.
Reagime të ashpra në publik nxitën informacionet në lidhje me alokimin e parave shtetërore përmes Fondit të Inovacionit dhe masave nga ligji për mbështetjen financiare të investimeve, ku për para të buxhetit kanë aplikuar kompani të lidhura me funksionarë të lartë të pushtetit.
Ile Petreski


