Ditëve të fundit me qindra shaka janë bërë në rrjete sociale për tavolinën që Vladimir Putin e kishte rezervuar për takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Megjithatë ka qenë një mister se pse ishte vendosur një tavolinë aq e gjatë në mes të dy liderëve, kur në takim s’kishte pjesëmarrës të tjerë.
Siç shkruan mediumi britanik “The Telegraph”, arsyeja pse ishte vendosur të mbahej një distancë e tillë, kishte të bënte me faktin se presidenti i Francës kishte refuzuar të bënte një test PCR për COVID-19 gjë që kërkohet për të gjithë vizitorët në Kremlin, transmeton Gazeta Express.
Nga Pallati i Elizesë në Paris zyrtarisht kanë deklaruar se testi PCR nuk përputhej me agjendën e ngjeshur të presidentit Macron.
Megjithatë burimet diplomatike franceze më vonë kanë dhënë një arsyetim tjetër se pse Macron kishte refuzuar të testohej, dhe këtë e lidhin me frikën nga Putini.
Sipas këtyre burimeve diplomatike, francezë ishin të frikësuar se çfarë rusët do të mund të bënin me pështymën e Macronit.