Temperaturat përvëluese mbi 40 gradë celsius kanë vënë në dyshim disa nga prodhimet që shiten në tregje të hapura. Shumë qytetarë të anketuar për Alsat thonë se anashkalojnë këto tregje për shkak të prishjes së lehtë të ushqimeve dhe rrezikut për helmime nga prodhimet që prishen lehtë. Madje, shumë prej tyre thonë se higjiena e dobët në tregje dhe kushtet e pavolitshme po largojnë me të madhe blerësit.
“Çka nuk kishte, mish, konserva, sallame, ato duhet të mbahen në frigorifer, në markete të mëdha. Janë të rrezikshme, dy herë jam helmuar brenda dy javëve”.
“Deri tash nuk kam ble prodhime të prishura por kjo mund të ndodhë, kushtet për ti mbajtur ushqimet janë shumë të këqija. Në treg kaloj shpesh por shumë rrallë blej, nuk janë shumë cilësore, nuk kanë kushte të duhura. Atyre që punojnë ne treg duhet t’ua plotësojnë kushtet, tu sigurojnë frigorifer sepse mishi nuk shitet në tezgë, duhet të mbahet në frigorifer”.
“Këto i kam blerë në treg, por ato që prishen shpejt i blejmë në markete. Në këtë nxehtësi nuk mund të jenë të sigurta, janë të hapura. Tregu aspak nuk është i pastër”.
Shitësit e bulmetit pranojnë se është e vështirë shitja e këtyre prodhimeve në këto temperatura tropikale.
“Nuk është shumë lehtë por ne mundohemi që ti mbulojmë. A ka ndodhë që dikush të ankohet për qumësht të prishur? Për qumësht ka ndodhë, koha është shumë e nxehtë”.
Ndërsa ekipi i Alsat ishte në teren, nga poliklinika e Bit Pazar shumë persona të moshuar kërkonin ndihmën e parë. Ndërsa, shumë të tjerë thonë se freski gjejnë nën hije dhe i shmangen periudhës së nxehtë. Derisa disa të tjerë shprehen se nuk iu pengon i nxehti dhe dëshirojnë të shfrytëzojnë çdo moment të sezonit veror.
“Kemi dal sepse e kemi të patjetërsueshme. Tani për tani mirë jam, mua nuk më pengo shumë”.
“Shumë keq ndjehem , nxehtë shumë, ndjehem e lodhur. Më dhanë disa vitamina. Shtypjen e gjakut e kisha 150/80”.
Mundohemi të konsumojë më shumë lëngje, ku ka hije ti shkojmë pas, ta shfrytëzojmë mirë këtë moment”.
Derisa meteorologët paralajmërojnë për temperatura të larta edhe në ditët në vazhdim, mjeket rekomandojnë konsumim të sa më shumë lëngjeve, ushqime të lehta dhe kufizim të lëvizjeve në diell nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
Melihate Rustemi

