Gazeta Shqiptare ju sjell këtë të diel të gjitha zhvilimet nga protesta popullore ndaj rritjes së çmimeve të karburantit dhe ushqimeve në të gjitha qytetet e vendit.
11:13 Fermerët e Devollit: Do i lëmë tokat djerrë, përshkallëzojmë qëndrimin tonë
Fermerët e Devollit kanë dalë sot në protestë kundër rritjes së çmimeve. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se protesta po zhvillohet përballë drejtorisë së bujqësisë në hyrje të qytetit. Fermerët po zhvillojnë një protestë paqësore ndërsa kërkojnë uljen e çmimit të naftës, çmimeve të produkteve të tjera ushqimore, uljen e çmimit të plehrave kimike etj.
Vështirësi sipas fermerëve hasin edhe për shkak të mos shitjes së prodhimeve bujqësore. Ata paralajmërojnë se do të lenë tokat e tyre djerrë.
Protesta sipas fermerëve do të vazhdojë nëse nuk merren masa nga qeveria. Në terren ndodhen edhe efektivë të policisë.
11:20 Tiranë/ Qytetari me mesazhin e veçantë në protestë: Kam ardhur t’u sjell lule policëve që kanë ndihmuar Ramën
Një qytetar, në protestën e ditës së diel në Sheshin Skënderbej kishte shkuar me lule në duar. Ai tha se lulet ishin në formë simbolike për policët që sipas tij “kanë ndihmuar Ramën që ai të mbushë burgjet”.
“Unë jam një nga ata që më ka katandisur Rama që të shkel ligjin. Meqë ka bërë shumë punë që qendrat sociale i ka mbushur e burgjet unë si llumi i Shqipërisë, kam ardhur tu jap lule policeve që kanë ndihmuar Ramën që ne të shkelim ligjin dhe ai të mbushë burgjet”, tha qytetari.




