Poçe të reja që harxhojnë më pak rrymë. Ashensori u zëvendësua nga shkallët. Nuk ndizen kondicionerë dhe ngrohëse shtesë. Korridoret e errëta. Këto janë vetëm disa nga masat e marra nga ministritë për uljen e konsumit të energjisë elektrike.
Në kuadër të masave për përballimin e pasojave të krizës energjetike, Qeveria ka obliguar të gjithë sektorin publik që të ulë koston e energjisë elektrike për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kursimi i energjisë ka filluar të aplikohet nga 1 shtatori dhe do të zgjasë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale këtë shtator konsumi i energjisë elektrike është ulur për 43 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Muajin e kaluar ata përdorën rreth 4700 kilovat orë energji elektrike, ndërsa vitin e kaluar në shtator – 8245.
Për zbatimin e masave në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale është ngarkuar Nuredin Ismaili. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe para vendimit të qeverisë për shkurtimin e shpenzimeve, ka fikur dritat në Ministri, pasi ka shkuar i fundit në shtëpi.