Me libra shpesh të dëmtuara, nxënësit e fillojnë vitin shkollor. Edhe pse është e paraparë që ndërrimi i librave të bëhet çdo katër vite, kjo praktikë ndodh të mos respektohet, por edhe pavarësisht nivelit të dëmtimit që kanë librat, nuk bëhet zëvendësimi i tyre me libra të reja, por vazhdohet me të njejtat. Kështu ka ndodhur edhe këtë vit shkollor. Kjo, sipas mësueses Mevlurije Racaj ndikon negativisht në psikologjinë e nxënësve, sidomos të atyre që janë në klasat e ulta, duke shtuar se, në momentin që nxënësit shohin që librat nuk i kanë të reja, por të grisura, ata dëshpërohen. Ajo përmendi edhe një fakt tjetër, se edhe librat e reja me të cilat furnizohen nxënësit kanë kualitet shumë të dobët, dëmtohen shumë shpejtë dhe kështu ata nuk mund të shfrytëzohen për 4 vite.
Mevlurije Racaj, mësuese
“Normalisht që ndikon tek fëmijët, kur librat janë të dëmtuara sepse fëmijët dëshpërohen. Kështu që, librat nuk kanë aq kualitet, shpejtë dëmtohen. Ndërrimi i librave mesa e di unë bëhet çdo 4-5 vite, kështu që ndikon te psikologjia e fëmijëve në anë negative…zakonisht është vazhduar me ato librat e njëjta që punohet, shpejtë dëmtohen librat dhe fëmijët dëshpërohen…kjo nuk varet prej shkollës, varet prej dikujt tjetër, por si i sjellin neve ashtu i shpërndajmë, mirëpo metëvërtet kualiteti është shumë i dobët”.
Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se problemi nuk qëndron tek ata pasi mungesa e librave dhe nevoja për libra të reja duhet të bëhet e ditur nga drejtorët e shkollave.
MASH
“Për klasën e parë të dytë dhe të tretë ka libra krejtësisht të reja. E njëjta situatë është edhe me klasën e nëntë. Për klasat tjera ndodh të mos jenë furnizuar me libra të reja, por egziston një procedurë, përmes të cilës drejtorët e shkollave tregojnë sa libra shtesë duhen, sa libra të reja nevoiten dhe sipas asaj edhe neve pastaj veprojmë”.
Tashmë kanë kaluar një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe furnizimi i shkollave me libra ende nuk është bërë krejtësisht, edhe pse është dashur të përfundojë deri më datë 15 shtator. Ka edhe ankesa si prej nxënësve dhe prej prindëve që prej librave që i kanë marrë, shumica prej tyre janë të përdorura vitet e kaluara dhe janë të dëmtuara.
Emine Ismaili

