Ministria e Shëndetësisë nuk mban përgjegjësi për përfaqësim adekuat të të punësuarve në institucionet publike shëndetësore. Në pyetjen drejtuar këtij dikasteri se pse në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë, numri i përfaqësuesve shqiptarë është vetëm 10%, dhe nga viti 2006 nuk është pranuar asnjë shqiptar, ata u përgjigjen se Ministria e Shëndetësisë nuk ka kompetenca sa i përket punësimit të personelit nëpër institucionet shëndetësore publike.
“Informojmë se në pajtueshmëri me Ligjin për mbrojtje shëndetësore, procedura për punësimin e personave në institucionet publike shëndetësore (përfshirë edhe Qendrat për Shëndet Publik) është në kompetenca të vet institucioneve”, kanë thënë për TV SHENJA, nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga kjo ministri më tej kanë theksuar se edhe se edhe procedura për selektimin e kandidatëve për punësim është në kompetenca të institucioneve.
“Institucionet publike shëndetësore janë persona juridik të pavarur, të cilët vet vendosin për punësim, përkatësisht angazhimin e personave nga personeli mjekësor apo jo mjekësor në institucion, që do të thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka kompetenca të sjellë vendime të këtij lloji”, kanë shtuar më tej.
Në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë, shifrat e të punësuarve flasin për diskriminim të përfaqësimit të shqiptarëve. Numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë institucion është 68, prej të cilëve 58 maqedonas dhe 7 shqiptarë. Maqedonasit janë të përfaqësuar me 85 për qind ndërsa shqiptarët me vetëm 10 për qind. Ndërsa, prej vitit 2006 në këtë institucion nuk është pranuar asnjë shqiptar.
Drejtori i kësaj qendre që mbulon rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, Vlladimir Nikollovski, i cili nuk pranoi të prononcohet para kamerës, u arsyetua duke thënë se ai ka ardhur në këtë post që nga dhjetori i vitit 2015 dhe se në kohën e tij nuk ka pasur punësime të reja, përveç vendimeve që u janë dhënë të punësuarve me kontratë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Ministria e Shëndetësisë mbrohet: Institucionet… by tvshenjaofficial

