Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Pishtar Lutfiu mori pjesë në Kongresin e Vienës organizuar nga COM-SULT me temë “Call for the future”, që u mbajt me datë 16-17 Janar 2017 në Vienë të Austrisë.
Ministri Lutfiu ishte i ftuar në panel për të diskutuar të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me temë: The Western Balkan: “Time for the next generation”. Në prezantimin e Ministrit Lutfiu në këtë konferencë ishin të pranishëm personalitete të larta të shteteve të Europës dhe Ballkanit, ku pjesë e panelit ishin Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli, prof. Florian Bieber, nga universiteti i Grazit, znj.Milica Pejanovic – ish Ministrja e Mbrojtjes nga Mali I Zi, z.Ivan Vojvoda nga fondi gjerman Marshall në USA si dhe z.Laszlo Andor – ish Komisioner pranë Bashkimit Europian.
Ministri Lutfiu theksoi se vendet e Bashkimit Europian duhet t’i kushtojnë më tepër vëmendje Ballkanit Perëndimor për të arritur sa më parë reformat që duhen plotësuar dhe se stabiliteti politik, siguria dhe mirëqënia e qytetarëve duhet të jenë prioritetet kryesore që duhet të ndiqen nga çdo qeveri e rajonit, duke u përfshirë sa më shumë në projekte të përbashkëta që kanë synim Integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-Atlantike dhe Bashkimin Europian.
Konferenca e Vienës, organizohet për të 14-tën herë në Vienë të Austrisë, dhe është një nga organizimet me renome botërore, në të cilën marrin pjesë personalitete eminente të politikës, nobelistë si dhe profesorë nga Universitetet më të ranguara botërore.