Nga Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë
Ka momente në histori kur e ardhmja e një vendi përcaktohet nga një dokument i vetëm. Marrëveshje të tilla janë të rralla, por ndikimi i tyre ndihet për breza me radhë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një prej tyre. Më 13 gusht 2001, njëzet e pesë vjet më parë, udhëheqësit politikë të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, nënshkruan një marrëveshje, nga çdo pikëpamje historike, e cila do të përcaktonte rrjedhën e shtetit për dekadat që do të pasonin.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të rajonit. Ajo dëshmoi se konfliktet ndëretnike në Ballkan nuk do të gjenin zgjidhje përmes forcës, por përmes dialogut, kompromisit politik, respektimit të të drejtave dhe ndërtimit të institucioneve që u japin të gjithë qytetarëve një vend të barabartë në shtet. Në një kohë kur rajoni ende kishte të hapura plagët e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ohri solli një model tjetër: jo ndarjen, por bashkëjetesën; jo fitoren e njërës palë mbi tjetrën, por kompromisin; jo përjashtimin, por ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon shteti për të gjithë.
Marrëveshja e Ohrit ishte dhe mbetet një zgjedhje strategjike për paqen, për bashkëjetesën dhe për ndërtimin e një shteti multietnik, në të cilin dallimet nuk do të ishin më burim konflikti, por pjesë e një rendi të përbashkët politik dhe shoqëror. Ishte vendimi që i dha Maqedonisë së Veriut mundësinë të mos mbetej peng i konfliktit të saj, por të ndërtonte një shtet më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, me një perspektivë të qartë evropiane. Njëzet e pesë vjet më vonë, kjo mbetet trashëgimia më e rëndësishme e Ohrit dhe përgjegjësia më e madhe e brezit të sotëm: ta ruajë atë që u arrit, ta çojë më tej frymën e saj dhe ta bëjë të pakthyeshme paqen, bashkëjetesën dhe orientimin evropian të vendit.
Shqipëria nuk e ka parë kurrë stabilitetin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut thjesht si një çështje të një vendi tjetër. Për ne, ai ka qenë dhe mbetet pjesë e drejtpërdrejtë e stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet e mira ndërmjet komuniteteve, barazia, respekti për identitetin dhe gjuhën, përfaqësimi i drejtë dhe mundësia që çdo qytetar të ndihet plotësisht pjesë e shtetit nuk janë vetëm çështje parimesh dhe të drejtash, sado themelore të jenë ato. Janë njëkohësisht çështje të paqes, të sigurisë, të stabilitetit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit. Ishte pikërisht kjo që u kuptua dhe u materializua në Ohër, një çerek shekulli më parë.
Ky është edhe mësimi më i rëndësishëm që Ohri i jep sot rajonit. Paqja nuk konsolidohet vetëm duke i dhënë fund konfliktit; ajo bëhet e qëndrueshme kur mishërohet në institucione, në të drejta, në mundësi të barabarta dhe në besim të ndërsjellë. Një marrëveshje paqeje e përmbush misionin e saj jo vetëm kur heshtin armët, por kur brezat që vijnë nuk kanë më arsye t’u kthehen atyre. Përmes garantimit të të drejtave për komunitetet, përfaqësimit më të drejtë në administratë dhe njohjes së karakterit multietnik të shoqërisë, marrëveshja krijoi një ekuilibër të ri politik dhe social.
Pikërisht për këtë arsye, Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë si një dokument i ngrirë në kohë. Ajo duhet kuptuar si një kontratë politike që kërkon kujdes e vëmendje të vazhdueshme sepse është dhe mbetet përcaktuese për të ardhmen e shtetit, si angazhim i përbashkët për një Maqedoni të Veriut demokratike, multietnike, gjithëpërfshirëse dhe evropiane. Ruajtja e frymës së Ohrit nuk do të thotë të jetosh me kujtesën e konfliktit, por të sigurohesh që shkaqet që e ushqyen atë konflikt të mos kthehen më kurrë në burim përçarjeje.
Në këtë kuptim, anëtarësimi në NATO, bashkëpunimi i njëmendtë rajonal dhe marrëdhëniet e miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë si dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut janë sa materializim, aq edhe vazhdim i natyrshëm i frymës së Ohrit. Evropa nuk kërkon që dallimet të zhduken; ajo kërkon që ato të jetojnë së bashku brenda institucioneve të forta, shtetit të së drejtës dhe një demokracie që garanton barazi dhe dinjitet për të gjithë.



