Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur aksionin e suksesshëm të strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse. Gjatë aksionit të policisë u sekuestruan disa mina me telekomandë dhe një shtetas u arrestua gjatë këtij aksioni, pasi kishte vendosur eksploziv C4 poshtë një makine.
Ministri Balla ka përshëndetur menjëherë strukturat e policisë së Vlorës me atë në një postimi në Facebook:
“Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse”.
closevolume_off
Gjithashtu Ministri Balla ka vlerësuar angazhimin e strukturave të policisë së Vlorës, në parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e akteve kriminale dhe për kapjen e autorëve të tyre.
“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar,” – shprehet Ministri i Brendshëm në statusin e tij përgëzues për policinë e Vlorës.
Balla thekson gjithashtu se “qytetarët presin më shumë prej nesh”, duke nënkuptuar angazhimin e të gjitha strukturave të tjera në luftën kundër fenomeneve të krimit në vend.



