Ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, dhe homologu i tij italian, Andrea Orlando, kanë nënshkruar dy marrëveshje bilaterale shtesë…
Ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, dhe homologu i tij italian, Andrea Orlando, kanë nënshkruar dy marrëveshje bilaterale shtesë, që burojnë nga Konventa europiane për ndihmë të ndërsjellë juridike në lëndët penale dhe në ekstradim. Dy ministrat njëherit theksuan se bashkëpunimi nuk ka munguar edhe deri më tani.
Në rastet kur Maqedonia ka kërkuar ekstradim nga Italia, rastet janë kryer në kohë, ndërsa nga ana italiane nuk ka pasur kërkesa për ekstradim nga Maqedonia.
“Këto marrëveshje rregullojnë çështje mjaft të rëndësishme, ndër të tjera në sferën e dhënies së ndihmës juridike, zbatimin e kërkesave për ndihmë juridike dhe për prolongim të ekzekutimit, transfere të kërkesave për ndihmë juridike në mënyrën e komunikimit, dëgjimin përmes video-konferencës, identifikimin në të dhëna bankare dhe financiare, ekstradimin e qytetarëve në mes dy vendeve për vepra penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe të shpëlarjes së parave”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
“Bashkëpunimi me Maqedonisë për ne është shumë i rëndësishëm, si dhe shumë me rëndësi janë marrëveshje të tilla. Është mirë të aplikohen në legjislacionin dhe në praktikën në çdo vend. Me këto marrëveshje duam të theksojmë se ne e mbështesim dhe inkurajojmë Maqedoninë në rrugën drejtë integrimit euroatlantik”,- tha ministri i Drejtësisë i Italisë, Andrea Orlando.
Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje për ekstradim edhe me Kosovën, Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, po bisedohet për nënshkrimin e marrëveshjeve për ekstradim edhe me vendet tjera nga rajoni dhe Bashkimit Europian.
Maqedonia aktualisht pret ekstradimin e dhjetë personave të dyshuar për krime nga vendet me të cilat aktualisht ka marrëveshje për ekstradim.